Guardiola reagon për akuzat ndaj Manchester City: Do ta kalojmë së bashku
BKT
Sport

Guardiola reagon për akuzat ndaj Manchester City: Do ta kalojmë së bashku

UK/RTKLive.com

Pep Guardiola ka reaguar të mërkurën për çështjen që lidhet me Manchester City dhe akuzat për shkelje të rregullave financiare të Premier League.

Trajneri i njohur, i cili e ka drejtuar Manchester City për dhjetë sezone, ka shprehur mbështetjen e tij për klubin, drejtuesit, futbollistët dhe tifozët.

“Dua që çdo tifoz i Manchester City ta dijë se jam këtu, më shumë se kurrë. Jam, gjithmonë kam qenë dhe gjithmonë do të jem në krah të klubit tim, pronarit tim, kryetarit tim, Ferranit, lojtarëve, stafit, Enzos dhe juve, tifozëve tanë unikë. Dua të jem i qartë: do ta kalojmë këtë së bashku. Ju dua të gjithëve”, ka shkruar Guardiola.

Çështja lidhet me periudhën nga viti 2009 deri në vitin 2018. Premier League e ka akuzuar Manchester City se nuk ka ofruar informacione të plota financiare, përfshirë të dhëna për pagesat e trajnerëve dhe futbollistëve, si dhe për shkelje të rregullave financiare të Premier League dhe UEFA-s.

City i ka mohuar të gjitha akuzat.

Rasti është hapur pas një hetimi të gazetës gjermane “Der Spiegel”. Në shkurt të vitit 2020, UEFA e ka gjobitur Manchester City me 30 milionë euro dhe i ka shqiptuar klubit një ndalesë dyvjeçare për pjesëmarrje në garat evropiane.

Megjithatë, pas ankesës në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), ndalesa është rrëzuar, pasi disa prej akuzave janë konsideruar të parashkruara. Manchester City, megjithatë, ka paguar dhjetë milionë euro gjobë për mosbashkëpunim me UEFA-n.

Periudha që është objekt i hetimit përfshin sezonet nga 2009/10 deri në 2017/18. Guardiola e ka marrë drejtimin e Manchester City në sezonin 2016/17.

Gjatë periudhës në fjalë, Manchester City i ka fituar tre tituj të Premier League, katër Kupa të Ligës, dy Kupa FA dhe një Community Shield.