Trump: Evropa pajtohet të lirojë “sasi masive” të rezervave të naftës
G.K/RTKlive
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se vendet evropiane janë pajtuar të lirojnë një “sasi masive” të rezervave të tyre të naftës, ndonëse partnerët evropianë fillimisht nuk kanë dhënë ndonjë konfirmim, raporton Yahoo News.
Trump shkroi në Truth Social se evropianët “sapo janë pajtuar të lirojnë një sasi masive të rezervave të tyre të mëdha të naftës. Procesi do të fillojë menjëherë”.
Postimi i Trumpit nuk e bëri të qartë se cilit institucion po i referohej.
Sipas Komisionit Evropian, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) do të ishte përgjegjëse për lirimin e rezervave të naftës.
Rritja e çmimeve të naftës dhe benzinës më herët e kishte shtyrë Trumpin të shqyrtonte mundësinë e ndalimit të eksporteve të naftës drejt BE-së. Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha të enjten se Evropa duhet “të vërë menjëherë në dispozicion furnizime shtesë” për të ulur çmimet.
Udhëheqësit e grupit G7 të ekonomive kryesore, ku përfshihet edhe SHBA-ja, pritet të diskutojnë situatën globale të energjisë në një videokonferencë, tha zyra e presidencës franceze.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, foli me Trumpin gjatë natës për këtë çështje.
Çmimet e naftës janë dyfishuar në Evropë që nga fillimi i luftës me Iranin në fund të shkurtit, ndërsa çmimet e benzinës janë rritur me 140 për qind, sipas Komisionit.























