Van Dijk nuk ndalet: Nuk përfundon me 100 ndeshje, dua të vazhdoj
BKT
Sport

Van Dijk nuk ndalet: Nuk përfundon me 100 ndeshje, dua të vazhdoj

F.B/RTKLive

Virgil van Dijk ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga Kombëtarja e Holandës, pavarësisht moshës dhe spekulimeve për të ardhmen e tij.

Mbrojtësi i Liverpoolit arriti një tjetër pikë kulmore në karrierë, duke u bërë lojtari i 11-të në historinë e Holandës që regjistron të paktën 100 paraqitje me kombëtaren. Van Dijk e festoi këtë arritje me fitoren 2:1 ndaj Serbisë.

Pas ndeshjes, 35-vjeçari nuk i fshehu emocionet.

“Ishte një mbrëmje shumë e veçantë dhe një moment historik për të cilin jam krenar. E pata të vështirë në dhomën e zhveshjes, sepse isha shumë i emocionuar. Kur isha i ri, nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të arrija deri këtu”, deklaroi Van Dijk.

Ai falënderoi stafin dhe veçanërisht familjen e tij për mbështetjen gjatë gjithë karrierës.

“Nuk mund të kërkoja më shumë nga ajo që kam arritur deri tani. Fatkeqësisht, humba një vit për shkak të lëndimit të ligamentit të kryqëzuar, përndryshe ndoshta do t’i isha afruar edhe Wesley Sneijderit. Megjithatë, jam krenar dhe i lumtur”, shtoi kapiteni i Holandës.

Van Dijk, megjithatë, nuk mendon për pensionimin ndërkombëtar.

“Për mua, nuk përfundon me 100 ndeshje. Nuk jam dikush që shikon shumë larg në të ardhmen. Duhet të kujdesesh shumë mirë për veten dhe të bësh gjithçka që të jesh i gatshëm çdo herë. Ndihem mirë tani, ndaj duhet të vazhdoj. Futbolli është gjëja më e mirë që ekziston”, tha ai.

Mbrojtësi foli edhe për moshën dhe faktin se çdo paraqitje e mirë tashmë lidhet me moshën e tij.

“E kuptoj shumë mirë që në futboll njerëzit e shikojnë moshën. Kur gjërat shkojnë mirë, thonë: ‘Sa mirë për moshën që ka’. Kur nuk shkojnë mirë, të quajnë plak. Unë duhet vetëm të sigurohem që të paraqitem sa më mirë për ekipin, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj”, u shpreh Van Dijk.

Deklaratat e tij vijnë në një moment kur e ardhmja e tij në klub është objekt spekulimesh. Mbrojtësi holandez është lidhur me një transferim te Real Madridi, Milani dhe Juventusi, ndërsa këto klube raportohet se po e monitorojnë situatën e tij për një transferim të mundshëm si lojtar i lirë verën e ardhshme.

Liverpooli ende nuk ka hapur negociatat për një zgjatje të kontratës, duke lënë të hapur mundësinë e një largimi të bujshëm.

Megjithatë, Van Dijk e ka bërë të qartë se në nivelin ndërkombëtar nuk ka ndërmend të ndalet te shifra 100. Kapiteni i Holandës dëshiron të vazhdojë dhe të shtojë edhe më shumë paraqitje me fanellën e “Tulipanëve”.