Alcaraz rikthehet fuqishëm, triumfon në Tokyo dhe mbron titullin
F.B/RTKLive
Carlos Alcaraz është rikthyer në mënyrën më të mirë të mundshme pas lëndimit, duke triumfuar në turneun ATP 500 të Tokyos.
Tenisti spanjoll mposhti në finale çekun Jiri Lehecka, aktualisht numri 19 në renditjen botërore, me rezultatin 7-6 (7/4), 6-4, duke siguruar trofeun në kryeqytetin japonez.
Ky ishte turneu i parë për Alcarazin pas rikthimit në fushë, ndërsa spanjolli arriti të mbrojë titullin që e kishte fituar në Tokyo edhe në vitin 2025.
Alcaraz, i cili aktualisht renditet në vendin e tretë në botë, kishte munguar që nga fundi i gushtit për shkak të dëmtimit, pasi kishte marrë pjesë në US Open.
Triumfi në Tokyo i dha fund edhe pritjes së gjatë për një trofe. Titulli i fundit i spanjollit ishte ai i ATP 500 në Doha, të cilin e kishte fituar në mesin e muajit shkurt.
Për Alcarazin, kjo ishte finalja e parë që nga prilli, kur ishte përballur me Jannik Sinner në finalen e Masters 1000 të Monte Carlos.
Rikthimi i tij vjen pikërisht në ditën kur Sinner njoftoi zyrtarisht mbylljen e sezonit për shkak të dëmtimit në gjurin e djathtë.























