Zyrtare: Arteta vazhdon me Arsenalin, firmos kontratë të re afatgjatë
F.B/RTKLive
Arsenali ka konfirmuar rinovimin e kontratës me trajnerin Mikel Arteta, i cili do të vazhdojë të drejtojë klubin londinez edhe për vitet e ardhshme.
Tekniku spanjoll, i cili mori drejtimin e “Topçinjve” në vitin 2019, udhëhoqi Arsenalin drejt titullit të Premierligës sezonin e kaluar, duke i dhënë fund pritjes më shumë se dydekadëshe për trofeun.
Edhe në fillimin e këtij sezoni, Arsenali ka pasur një paraqitje të mirë, duke fituar katër nga pesë ndeshjet e para dhe duke u pozicionuar në vendin e dytë në tabelë.
Që nga marrja e drejtimit të skuadrës, Arteta ka udhëhequr Arsenalin në 361 ndeshje, me një përqindje fitoresh prej 62.05 për qind. Kjo është përqindja më e lartë e fitoreve nga një trajner i përhershëm në historinë e klubit.
Pas zyrtarizimit të marrëveshjes së re, Arteta shprehu kënaqësinë për vazhdimin e bashkëpunimit me klubin.
“Është privilegj të angazhohem për të ardhmen time me klubin dhe të vazhdoj të punoj me njerëz të jashtëzakonshëm që duan më të mirën për Arsenalin. Ky klub është unik, për karakterin e tij dhe mënyrën se si të bën të ndihesh. Jam jashtëzakonisht i privilegjuar që rrugëtimi ynë së bashku do të vazhdojë”, deklaroi Arteta.
Ai theksoi se Arsenali ka ndërtuar një lidhje të veçantë gjatë viteve të fundit dhe se ambiciet për të ardhmen mbeten të mëdha.
“Ne kemi ndërtuar tashmë një lidhje të veçantë dhe kemi krijuar kujtime që do të zgjasin gjithë jetën. Ajo që është emocionuese është se ky është vetëm fillimi i asaj që mund të arrijmë së bashku”, u shpreh spanjolli.
Arteta falënderoi edhe pronarët e klubit, Stan dhe Josh Kroenke, për besimin dhe mbështetjen, ndërsa vlerësoi veçanërisht marrëdhënien me tifozët.
“Jam jashtëzakonisht mirënjohës ndaj Stan dhe Josh Kroenke për besimin dhe mbështetjen e tyre. Ndihem i nderuar që po e udhëheq këtë klub në një periudhë kaq të veçantë të historisë së tij 140-vjeçare”, tha ai.
“Ky është një moment shumë krenar për mua dhe familjen time. E ndiej dashurinë dhe respektin e tifozëve tanë fantastikë dhe edhe ata e kanë timin – dhe tonin – në këmbim”, shtoi Arteta.
Arsenali ka bërë të ditur gjithashtu se edhe anëtarët e stafit të tij teknik kanë nënshkruar kontrata të reja, të harmonizuara me kohëzgjatjen e marrëveshjes së re të trajnerit.























