Protestat e nxënësve në Francë marrin përmasa të paprecedenta
Flutura Bekqeli /RTK
Që nga fundi i shtatorit, nxënësit në mbarë Francën kanë organizuar protesta kundër financimit të pamjaftueshëm në arsim dhe kanë bllokuar hyrjet në shumë gjimnaze. Lëvizja ka marrë përmasa të dhunshme në disa vende, ku qindra nxënës, mësues dhe oficerë policie kanë mbetur të lënduar dhe mijëra janë arrestuar.
Protestuesit ankohen për mungesën e personelit dhe gjendjen e rrënuar të ambienteve në gjimnazet e vendit, shkolla që ndiqen nga të rinj të moshës 15-18 vjeç.
Dhe ndonëse financimi i pamjaftueshëm, ndërtesat e rrënuara dhe frika për të ardhmen qëndrojnë në themel të pakënaqësisë së nxënësve, këto ankesa nuk mjaftojnë për të shpjeguar pse lëvizja ka marrë përmasa "të paprecedenta" për sa i përket numrit të shkollave, nxënësve dhe shkallës së dhunës së përfshirë sipas fjalëve të ministrit të brendshëm, Laurent Nuñez.
Bllokimi i një shkolle apo universiteti përmes kërcënimeve ose forcës është i paligjshëm në Francë dhe tërheq ndërhyrjen e policisë dhe për pasojë, nxënësit janë përfshirë në operacionet policore për kontrollin e turmave, të cilat shpesh karakterizohen nga masa të ashpra.
Në mesazhin e tij të fundit kryeministri Sébastien Lecornu ka këmbëngulur se forcat e sigurisë nuk kanë marrë urdhër të "përballen me nxënësit e gjimnazeve", por vetëm të zbatojnë ligjin. Në tetor të vitit 1990, një rast përdhunimi në një shkollë në Seine-Saint-Denis në Parisi që ka qenë në qendër të trazirave aktuale shërbeu si shkëndijë për protesta masive kundër financimit të pamjaftueshëm dhe mungesës së personelit. Kjo çoi në vendimin e qeverisë për të alokuar fonde të barasvlershme me 1,2 miliardë euro me vlerën e sotme, për gjimnazet.
Në tetor të vitit 1998, 500 mijë nxënës marshuan në mbarë Francën me kërkesa të ngjashme, gjë që rezultoi në sigurimin e gati 1 miliard eurove për rinovimin e shkollave dhe punësimin e 14 mujë punonjësve shtesë. Në disa raste, protestat e nxënësve dhe studentëve kanë arritur t'i ndalojnë reformat qeveritare siç ishte rasti me reformën rrënjësore të universiteteve në vitin 1986 dhe atë për pagën minimale më të ulët për të rinjtë në vitin 1994.
Nga ana tjetër, qeveria nuk ka qenë kurrë më e dobët. Pas nëntë vitesh në pushtet, Emmanuel Macron është një udhëheqës tejet jopopullor dhe me autoritet të zbehur, i cili e ka të ndaluar të kandidojë në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen pas gjashtë muajsh.























