Rusia vazhdon sulmet kundër Ukrainës
BKT
Rajoni dhe Bota

Rusia vazhdon sulmet kundër Ukrainës

Bardhyl Bajrami / RTK

Rusia ka sulmuar me raketa balistike Kievin dhe me dronë rajonin e Harkivit, duke vrarë të paktën dy persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë, përfshirë fëmijë. Sulmet ndodhën në kohën kur po intensifikohen përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës, ndërsa presidenti Trump thotë se palët janë më afër paqes se kurrë më parë.

Në Kiev, sulmet ruse gjatë mbrëmjes së 21 tetorit dhe natës deri më 22 tetor prekën gjashtë distrikte të kryeqytetit. Sipas autoriteteve, një 48-vjeçar u vra dhe 24 persona u plagosën, 16 prej të cilëve u shtruan në spital. U dëmtuan banesa, automjete, ndërtesa administrative, gjashtë autoambulanca dhe një manastir. Zjarre shpërthyen në disa objekte, përfshirë një qendër tregtare. Sulmet dëmtuan edhe infrastrukturën e metrosë në urën Pivdennyi, duke shkaktuar kufizime në qarkullim dhe ndryshime në shërbimin e transportit publik.

Në rajonin e Harkivit, një dron goditi një shtëpi në fshatin Lymanivtsi, duke vrarë një person dhe plagosur nëntë të tjerë, përfshirë dy fëmijë. Në qytetin e Harkivit, sulmet prekën zona banimi dhe infrastrukturë civile, ndërsa në Izium u plagosën tre persona dhe u dogjën dy shtëpi. Dëme dhe zjarre u raportuan edhe në rajonin e Kupianskut, përfshirë një objekt shëndetësor.

Sulmet ndodhën disa orë pasi Moska deklaroi se ishte, në parim, e gatshme të rifillonte bisedimet e paqes. Trump tha se bota është më afër se kurrë përfundimit të luftës, ndërsa i dërguari i tij, Steve Witkoff, u takua të mërkurën në Shën Petersburg me presidentin rus, Vladimir Putin. Takimi erdhi pas bisedimeve të Witkoffit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Oslo. Sipas Zelenskyt, diskutimet përfshinë garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe propozime për armëpushim në sektorin energjetik.

Ndihmësi i Putinit, Yuri Ushakov, tha se idetë e paraqitura nuk ishin shumë të dobishme, por sugjeroi se një raund i ri bisedimesh mund të mbahet rreth 10 nëntorit në Abu Dabi. Ai këmbënguli se negociatat duhet të përqendrohen në krijimin e një sistemi sigurie për Rusinë dhe Ukrainën pas përfundimit të konfliktit. Moska pretendon se forcat e saj kanë iniciativën strategjike në front, ndërsa Ukraina dhe aleatët evropianë e kundërshtojnë këtë vlerësim. Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë në vitin 2022 dhe aktualisht kontrollon rreth 20 për qind të territorit ukrainas.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota