Italia dhe Spanja i japin fund kontrolleve kufitare pas tensioneve për migrantët
BKT
Foto: Ansa.it
Rajoni dhe Bota

Italia dhe Spanja i japin fund kontrolleve kufitare pas tensioneve për migrantët

G.K/RTKlive

Italia dhe Spanja kanë arritur marrëveshje për heqjen përfundimtare të kontrolleve të përkohshme kufitare, duke i dhënë fund pezullimit të rregullave të Shengenit mes dy vendeve, pas tensioneve të shkaktuara nga kriza e migrantëve në Ceuta.

Sipas Euronews, vendimi është marrë pas një bisede telefonike mes ministrave të Brendshëm të dy vendeve, Matteo Piantedosi dhe Fernando Grande-Marlaska.

Javën e kaluar, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri spanjoll Pedro Sánchez kishin shprehur synimin për t'u dhënë fund kontrolleve, gjatë takimeve në margjinat e Këshillit Evropian.

Në deklarata identike, të dyja qeveritë kanë bërë të ditur se vendimi është marrë pas një vlerësimi të kujdesshëm të situatës dhe se pezullimet aktuale nuk do të zgjaten.

Sipas burimeve nga ministritë e Brendshme të Spanjës dhe Italisë, heqja e kontrolleve do të shoqërohet me rritjen e shkëmbimit të informacioneve për të garantuar sigurinë në zonën Shengen.

Ky vendim i jep fund një përplasjeje politike që kishte shkaktuar tensione të paprecedenta mes Madridit dhe Romës, pasi Meloni kishte njoftuar vendosjen e menjëhershme të kontrolleve pas kalimit masiv të kufirit në qytetin autonom spanjoll të Ceutës, në korrik.

Më shumë se 70 mijë persona kishin kaluar ilegalisht nga Maroku në këtë enklavë.

Më 1 gusht, Italia kishte rivendosur përkohësisht kontrollet kufitare me Spanjën, duke pezulluar rregullat e Shengenit dhe duke kontrolluar udhëtarët në porte dhe aeroporte.

Ministria e Brendshme italiane kishte deklaruar se kontrollet përqendroheshin kryesisht te shtetasit e vendeve jashtë Bashkimit Evropian, me qëllim forcimin e sigurisë kufitare dhe parandalimin e kërcënimeve të mundshme terroriste.

Italia dhe Spanja nuk kanë kufi të përbashkët tokësor, ndërsa Ceuta ndodhet jashtë zonës Shengen, ku rregullat e lëvizjes së lirë nuk zbatohen.

Vendimi i Italisë kishte shkaktuar tensione diplomatike me Madridin. Ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares, e kishte cilësuar atë si “absurd” dhe “turp”.

Një javë më vonë, Spanja kishte vendosur kontrolle reciproke ndaj udhëtarëve që mbërrinin nga Italia.

Marrëveshja mes dy ministrave të Brendshëm, së bashku me masat alternative të bashkëpunimit, do të mundësojë heqjen graduale të kontrolleve mes dy vendeve.

Burimi: Euronews


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota