Flávio Bolsonaros i anulohen pasaportat, dyshohet se është larguar nga Brazili
BKT
Rajoni dhe Bota

Flávio Bolsonaros i anulohen pasaportat, dyshohet se është larguar nga Brazili

RTKlive

Policia në Brazil ka njoftuar se ka anuluar pasaportat e kandidatit të djathtë të mundur në zgjedhjet presidenciale, Flávio Bolsonaro, pasi ai nuk zbatoi urdhrin për dorëzimin e dokumenteve, raporton BBC.

Gjykata Supreme e Brazilit kishte urdhëruar të hënën Bolsonaron që t’ia dorëzonte pasaportat policisë brenda 24 orëve, në kuadër të një hetimi për pastrim të dyshuar parash, akuza të cilat ai i mohon.

Sipas BBC-së, Bolsonaro kishte deklaruar se nuk kishte plane të largohej nga vendi dhe se do të qëndronte në Brazil për të udhëhequr opozitën kundër presidentit Luiz Inácio Lula da Silva.

Megjithatë, afati ka kaluar pa i dorëzuar pasaportat, duke nxitur spekulime se ai mund të jetë larguar nga vendi.

Zyrtarët federalë po kontrollojnë kalimet kufitare për të përcaktuar nëse Bolsonaro ka udhëtuar drejt Argjentinës, ndërsa autoritetet argjentinase i kanë thënë BBC-së se nuk ka të dhëna që ai të ketë hyrë në vendin e tyre përmes ndonjë pike kufitare.

Bolsonaro ishte tashmë nën hetim për korrupsion të dyshuar lidhur me financimin e një filmi për babanë e tij, ish-presidentin Jair Bolsonaro, i cili është dënuar për komplot për grusht shteti dhe ndodhet në arrest shtëpiak.

Ndërkohë, Gjykata Supreme ka urdhëruar edhe hetimin e fushatës zgjedhore të Flávio Bolsonaros për financim të dyshuar nga jashtë vendit.

Senatori 45-vjeçar u mposht të dielën nga Lula në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Sipas rezultateve të raportuara nga BBC, Lula fitoi 51.79% të votave, ndërsa Bolsonaro 48.21%.

Pavarësisht humbjes me 4.4 milionë vota, Bolsonaro nuk e ka pranuar rezultatin dhe ka kërkuar anulimin e zgjedhjeve, duke kundërshtuar zgjatjen e votimit me dy orë.

Megjithatë, Partia Liberale, të cilën ai e përfaqësonte, e ka pranuar rezultatin, ndonëse ka deklaruar se zgjatja e orarit të votimit meriton të hetohet.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota