Pushtet i ri në Serbi, qasje e njëjtë ndaj Kosovës /Video
BKT
Lajme

Pushtet i ri në Serbi, qasje e njëjtë ndaj Kosovës /Video

Donika Sherifi/ RTK

Ndryshimi i klasës politike në Serbi nuk pritet të sjellë ndryshim të qasjes ndaj Kosovës. Përfaqësuesit politikë vlerësojnë se pushteti i ri në Beograd nuk garanton ndryshim të qëndrimeve, derisa kërkojnë që Bashkimi Evropian të ushtrojë më shumë trysni ndaj Beogradit për normalizimin e raporteve, vazhdimin e dialogut dhe respektimin e marrëveshjeve.

Zhvillimet e fundit politike në Serbi, me fitoren e Listës Studentore, kanë rikthyer vëmendjen te mundësia e një qasjeje të re të Beogradit ndaj Kosovës. Megjithatë, në Prishtinë nuk presin ndryshime të mëdha. Përfaqësues të partive politike vlerësojnë se ndërrimi i aktorëve në skenën politike serbe nuk nënkupton doemos edhe ndryshim të politikës ndaj Kosovës. Sipas tyre, treguesi kryesor do të jetë nëse Lista Studentore do të ndryshojë qëndrimet për pavarësinë e Kosovës dhe marrëveshjet e arritura në dialog.

“Askush në Kosovë nuk duhet të ketë ndonjë iluzion që Lista Studentore do të jetë më e ndryshme kundrejt Partisë Progresiste të Vuçiqit në raport me Kosovën. Kështu që duhet me e pa ndërkohë nëse do të duhej këta të ndërronin qëndrim. Unë shpresoj që minimalisht ta zbusin qëndrimin kundrejt Kosovës, por detyrimi i parë i qeverisë serbe është ekstradimi i kryeterroristit Milan Radoiçiqit, i cili ka bërë vepra të rënda penale dhe kriminale në Kosovë. Por unë nuk kam asnjë iluzion që ata do të jenë kështu shumë më liberalë kundrejt Vuçiqit”, tha Vigan Qorolli.

“Ndryshimi i politikës në Serbi ose i klasës politike në Serbi është një hap i jashtëzakonshëm i zhvillimeve brenda për brenda Serbisë, ndërsa sa i përket raportit me Kosovën, unë mendoj se ne si shtet nuk duhet të shikojmë ndryshimin e klasës politike, por duhet të presim ndryshimin e qëndrimeve politike në raport me Kosovën, gjë që, duke parë nga deklaratat e Listës Studentore karshi Kosovës, nuk pres ndonjë ndryshim esencial të kësaj klase politike karshi Kosovës”, theksoi Ganimete Musliu nga PDK.

“Hyrja në petkun e pushtetarëve dhe raportet me BE-në, me SHBA-në, a do të ndikojnë dhe sa do të ndikojnë, nuk besoj shumë se do të zbuten, sepse edhe Vuçiqi para 14 vjetësh ka ardhur me të njëjtën pritje, duke marrë një shumicë të madhe atje dhe duke premtuar normalizim, por asnjëherë nuk ndodhi. Serbia është në qarkun e mbyllur, është në kohën e errët politike edhe më tutje”, pohoi Lutfi Haziri nga LDK.

“Këta, sikurse Vuçiqi më parë, po edhe Lista Studentore, sa më parë që e pranojnë realitetin e ri që Kosova është shtet i pavarur, që është shtet demokratik, që është njohur pavarësia e Kosovës nga 120 shtete, është më mirë për ta”, tha Time Kadrijaj nga Aleanca.

Tani përgjegjësinë për të shtyrë përpara procesin e normalizimit, partitë politike në Kosovë ia adresojnë edhe Bashkimit Evropian, duke kërkuar trysni më të madhe ndaj Serbisë dhe trajtim të barabartë të palëve në dialog.


MË SHUME NGA Lajme