Real Madridi merr talentin e Unitedit për vetëm 360 mijë euro
F.B/RTKLive
Real Madridi pritet të paguajë vetëm 360 mijë euro kompensim për Manchester Unitedin për transferimin e talentit të ri, JJ Gabriel, i cili është vetëm 16-vjeçar.
Sipas medieve të huaja, marrëveshja mes palëve është drejt finalizimit dhe pritet të realizohet gjatë afatit kalimtar të janarit.
Gabriel dhe familja e tij kishin shprehur pakënaqësi me hapësirën që futbollisti po merrte te Manchester Unitedi, pavarësisht paraqitjeve mbresëlënëse në akademinë e klubit që në moshë të re.
Pakënaqësia ishte shtuar pasi talenti anglez nuk ishte përfshirë në listën e Manchester Unitedit për Ligën e Kampionëve. Familja e tij besonte se ai meritonte më shumë mundësi me ekipin e parë, madje edhe të stërvitej me futbollistët seniorë, në vend se të rikthehej te grupmoshat U21.
Për këtë arsye, Gabriel kishte kërkuar largimin nga klubi dhe ndërprerjen e regjistrimit të tij në akademinë e Manchester Unitedit.
Interesim për shërbimet e tij kishin shfaqur edhe Paris Saint-Germaini, Bayern Munichu dhe Barcelona, por 16-vjeçari thuhet se kishte zgjedhur Real Madridin si destinacionin e tij të preferuar.
Sipas gazetarit të njohur të transferimeve, Fabrizio Romano, marrëveshja do t'i kushtojë klubit madrilen vetëm 360 mijë euro në formë kompensimi për Manchester Unitedin.
Agjenti i lojtarit tashmë ndodhet në Madrid, ku po përfundohen detajet e fundit të marrëveshjes.
Në kampin e Gabrielit besojnë se Real Madridi mund t'i ofrojë një rrugë më të mirë drejt ekipit të parë dhe mundësi më të mëdha për të zhvilluar karrierën e tij.






















