Muzika si urë bashkëpunimi Shqipëri–Kosovë: Mundësitë dhe perspektivat për artistët e rinj
K. K. / RTKlive
Në kuadër të Javës Kulturore Shqipëri–Kosovë, muzika dhe potenciali i industrisë muzikore në të dy vendet u bënë temë diskutimi në panelin “Muzika si urë bashkëpunimi dhe mundësi zhvillimi”, pjesë e programit Next Generation 2.0.
Në panel morën pjesë zëvendësministrja e Kulturës dhe Turizmit të Kosovës, Nora Arapi Krasniqi, zëvendësministrja e Shqipërisë, Lira Pipa, si dhe Klod Makashi, Alis Kallaci, Skënder Haklaj dhe Troja Bicurri.
Diskutimi u përqendrua te mundësitë që ofron skena muzikore në Shqipëri dhe Kosovë, bashkëpunimi ndërmjet artistëve, mbështetja e talenteve të reja dhe zhvillimi i industrisë muzikore si një sektor me potencial për krijimin e mundësive të reja profesionale dhe artistike.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe rolit të institucioneve kulturore në mbështetjen e krijuesve dhe ndërtimin e mekanizmave që mundësojnë bashkëpunim më të qëndrueshëm ndërmjet dy vendeve. Përmes programit Next Generation 2.0, Java Kulturore Shqipëri–Kosovë synon të krijojë hapësira për shkëmbim përvojash, ide të reja dhe bashkëpunime që kontribuojnë në zhvillimin e industrive kreative.






















