Konferenca shkencore “Rexhep Qosja- figurë shumëplanëshe e kulturës shqiptare”
A.B/RTKLive
Më 25 nëntor 2026, do t’i fillojë punimet konferenca shkencore “Rexhep Qosja- figurë shumëplanëshe e kulturës shqiptare”, që do të organizohet nga Instituti Albanologjik-Prishtinë në shenjë të 90-vjetorit të lindjes së akademikut tonë të madh, doajenit të mendimit tonë kulturor e akademik, si dhe të paepurit të veprimit shoqëror dhe intelektual, Rexhep Qosjes.
Organizimi i një konference shkencore në nderim të punës së tij krijuese dhe intelektuale është më e pakta që mund të bëjmë për profesorin tashmë të ndjerë, me emrin e të cilit nderohet dhe krenohet Instituti Albanologjik, meqë ishte një nga punonjësit e tij shumëvjeçar shkencor.
Kjo konferencë dyditore (25 dhe 26 nëntor 2026) do të mbahet në ambientet e Institutit Albanologjik dhe për veprën kulmore të profesor Qosjes do të flasin studiues e emra të njohur të kulturës dhe mendimit shqip.
Seanca hapëse do të fillojë me një fjalë mirëseardhëse të Fadil Grajçevcit, u.d. drejtor i Institutit Albanologjik-Prishtinë, ndërsa me fjalë përshëndetëse do të na nderojnë krerë të rëndësishëm të institucioneve shtetërore dhe akademike shqiptare.
Pas fjalëve hapëse dhe përshëndetëse, do të bëhet një vizitë e organizuar në zyrën ku ka punuar profesor Rexhep Qosja në Institutin Albanologjik, që me propozim të u.d. drejtorit të tashëm të IAP-it, Fadil Grajçevci, dhe vendim të Këshillit Drejtues-IAP është shpallur zyre muze.
Për vlerat e krijimtarisë dhe veprimtarisë së Rexhep Qosjes do të flasin albanologë të njohur, profesorë të spikatur, njohës të veprimit intelektual të profesorit dhe studiues të rinj e të talentuar.






















