Promovohet katalogu “Still Running” i Xhevdet Xhafës
Sh.G|RTKlive
Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, të mërkurën, më 18 nëntor, në ora 18:00, do të promovohet katalogu i ekspozitës “Still Running”, kushtuar artistit Xhevdet Xhafa.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës, Xhevdet Xhafa është një prej figurave pioniere të artit modern në Kosovë, ndërsa “Still Running” shënon ekspozitën e tij të parë personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Ekspozita përmbledh vepra të realizuara gjatë më shumë se shtatë dekadave krijimtari, duke pasqyruar vazhdimësitë, zhvendosjet dhe transformimet e praktikës artistike të Xhafës nëpër periudha të ndryshme artistike, institucionale dhe politike.
Katalogu përmban një intervistë të Hans Ulrich Obristit me artistin, esenë “Ontologjia piktoriale dhe vetëdisiplina e Xhevdet Xhafës” nga Övül Ö. Durmuşoğlu, tekstin “Autobiografia shpirtërore” të Ješa Denegrit, kushtuar veprës së Xhafës, si dhe tekstin “Në kontekstin etnik” të Sonja Adžibajevës. Në botim përfshihet edhe një poezi kushtuar artistit nga James Walmsley.
Dizajni i katalogut është realizuar nga Nita Salihu Hoxha dhe Studio Permanent.
Ekspozita, e kuruar nga familja, do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri më 20 nëntor 2026.






















