Galeria Kombëtare e Kosovës hap thirrjen për Programin Vjetor 2027
K. K. / RTKlive
Galeria Kombëtare e Kosovës (GKK) ka hapur thirrjen për propozime artistike dhe kulturore në kuadër të Programit Vjetor 2027, duke ftuar artistë, kuratorë, hulumtues dhe organizata kulturore të paraqesin projektet e tyre.
Thirrja përfshin një gamë të gjerë propozimesh, nga ekspozitat ndërdisiplinare në pikturë, skulpturë, grafikë, instalacion, fotografi, video dhe performancë, deri te projektet edukativo-arsimore, hulumtuese, botuese dhe multimediale.
Projektet e përzgjedhura mund të realizohen në hapësirat e Galerisë Kombëtare të Kosovës ose jashtë tyre, në bashkëpunim me stafin e institucionit. Programi do të zhvillohet në dy hapësirat e galerisë, GKK Qendrore dhe GKK QAFA.
Përmes kësaj thirrjeje, institucioni synon të krijojë hapësirë për ide dhe praktika të ndryshme artistike, duke përfshirë jo vetëm artistët individualë, por edhe kolektivet, organizatat dhe komunitetet kulturore. Megjithatë, kontratat për realizimin e projekteve do të lidhen me individë. Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është 30 dhjetor 2026.






















