Në Shtime diskutohet gjendja e sigurisë dhe parandalimi i dhunës në familje
Sh.G|RTKlive
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) në Shtime ka mbajtur mbledhjen e pestë, ku janë diskutuar çështje që lidhen me sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve.
Sipas njoftimit të Komunës së Shtimes, komandanti i Stacionit Policor, Haxhi Behluli, ka vlerësuar se gjendja e sigurisë në komunë është e qetë. Ai ka kërkuar nga KEDS-i sanimin sa më të shpejtë të dëmeve në rrjetin elektrik, të shkaktuara nga erërat e forta.
Në mbledhje është diskutuar edhe parandalimi i dhunës në familje. Drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Adem Ramadani, ka theksuar nevojën për shtimin e stafit profesional për të ofruar shërbime më efikase për qytetarët.
Ndërkaq, përfaqësuesi i Drejtorisë së Arsimit, Lulzim Sahiti, ka prezantuar sfidat që lidhen me institucionet arsimore.
Mbledhja është udhëhequr nga nënkryetari i Komunës së Shtimes, Adnan Ademi.






















