Promovohet “Libri i Lirisë”
Zenel Hajrizi/ RTK
Një rrugëtim 35-vjeçar nëpër ngjarjet që shënuan historinë e Kosovës. Këto zhvillime, të dokumentuara përmes gazetarisë, reportazheve dhe dokumentarëve, janë përmbledhur në librin e gazetarit Nuhi Bytyqi.
Përzgjedhja e ngjarjeve pasqyron fokusin dhe këndvështrimin personal të autorit gjatë karrierës së tij si gazetar.
“Ky përcaktim mund të jetë antologjik ose rastësor. Pra, është personal dhe i nënshtrohet fokusimit personal të gazetarit. Nuk paraqet domosdoshmërish një kornizë të detajuar të të gjitha ngjarjeve më të rëndësishme të historisë”, Bajram Kosumi redaktor i librit.
Për recensentin Astrit Salihu, libri përbën një kronikë të ngjarjeve të përcjella nga afër prej autorit, përmes raportimeve televizive, dokumentarëve dhe shkrimeve të publikuara ndër vite.
“Ky libër është një kronikë e ngjarjeve të mbuluara nga vetë ai në raportimet televizive, dokumentarët dhe shkrimet që ka publikuar. Vëllimi i punës së Nuhi Bytyqit, edhe pse jo i tëri i përfshirë në këtë libër, tregon përkushtimin e tij për t'u angazhuar në procese aq të rëndësishme për fatin e Kosovës”, Astrit Salihu, recensent.
Ndërkaq, autori Nuhi Bytyqi thekson se ky botim nuk është vetëm një përmbledhje e punës së tij profesionale, por edhe një dëshmi që përfshin përjetimet, zërat dhe kujtesën e një brezi që përjetoi vitet vendimtare të rezistencës për liri.
“Shkrimet, reportazhet, intervistat, raportimet televizive të transmetuara dhe të botuara në mediet e kohës hynin natyrshëm në kapitujt e lirisë. Është libër autentik, ku secili prej nesh që i ka përjetuar vitet vendimtare të rezistencës sonë për liri e gjen veten, zërin dhe frymën e vet”, tha Nuhi Bytyqi, autor i librit dhe dokumentarit
Të pranishmit vlerësuan se ky botim synon ta ruajë kujtesën e ngjarjeve dhe të njerëzve që kontribuuan në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë.






















