Prokuroria dhe Policia Rajonale në Pejë diskutojnë për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës
BKT
Kosovë

Prokuroria dhe Policia Rajonale në Pejë diskutojnë për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës

B.H./RTKlive

Ushtruesja e Detyrës së Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj, së bashku me prokurorët e Departamentit për Krime të Rënda, ka mbajtur takim me Drejtorin e ri të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, Faton Alija, dhe zinxhirin komandues të këtij institucioni.

Sipas njoftimit të prokurorisë, në këtë takim, temë kryesore e diskutimit ishte trajtimi dhe zbardhja e rasteve të vrasjeve të pazgjidhura të pasluftës, të cilat kanë ndodhur në territorin në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Pejë.

“Me këtë rast, u.d. Kryeprokurorja Disha-Haxhosaj kërkoi nga prokurorët e kësaj prokurorie dhe zinxhiri komandues i Policisë Rajonale që të intensifikojnë bashkëpunimin dhe koordinimin institucional, me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e këtyre rasteve, identifikimin e kryerësve të veprave penale dhe vënien e tyre para drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Ajo theksoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët të prokurorëve të shtetit dhe hetuesve policorë, si dhe nevojën që çdo informacion dhe provë relevante të trajtohet me seriozitetin dhe profesionalizmin e duhur.

Prokuroria Themelore në Pejë ka inkurajuar të gjithë qytetarët, familjarët e viktimave dhe personat e tjerë që posedojnë informacione të cilat mund të ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të këtyre rasteve, që të bashkëpunojnë me Prokurorin e Shtetit dhe Policinë e Kosovës.

Tutje në njoftim thuhet se Prokuroria Themelore në Pejë mbetet e përkushtuar në bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve ligjore për zbardhjen e këtyre rasteve dhe vendosjen e drejtësisë.


MË SHUME NGA Kosovë