IKShPK trajnon infermierët për këshillimin kundër duhanpirjes
Sh.G|RTKlive
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka realizuar trajnim për trajnerë, me fokus në intervistimin dhe këshillimin motivues për ndërprerjen e duhanpirjes.
Trajnimi, i mbajtur nga 23 deri më 25 nëntor në Prishtinë, ishte i dedikuar për personelin shëndetësor, përkatësisht infermierët, me qëllim të avancimit të njohurive dhe aftësive të tyre në mbështetjen e personave që dëshirojnë ta lënë duhanin.
Gjatë tri ditëve, pjesëmarrësit trajtuan tema që lidhen me varësinë nga nikotina, dëmet shëndetësore të duhanpirjes, përfitimet nga ndërprerja e saj, këshillimin motivues dhe parandalimin e rikthimit te duhanpirja.
Trajnimi përfshiu edhe ushtrime praktike, simulime të situatave klinike dhe diskutime, për të mundësuar zbatimin e njohurive në punën e përditshme me pacientë.
Sipas IKShPK-së, trajnimi u realizua nga ekipi i trajnerëve të institutit, me përkrahjen teknike të projektit “Accessible Quality Healthcare” (AQH).
Instituti ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për fuqizimin e kapaciteteve të personelit shëndetësor dhe promovimin e ndërhyrjeve profesionale për parandalimin e sëmundjeve kronike jongjitëse që lidhen me përdorimin e duhanit.






















