Shpenzimet e larta për trajtim, barrë për pacientët në Kosovë / Video
BKT
Shëndetësi

Shpenzimet e larta për trajtim, barrë për pacientët në Kosovë / Video

Arbresha Berisha / RTK

Pacientët në Kosovë vazhdojnë të përballen me shpenzime të larta për kontrolle, barna dhe trajtime, madje edhe kur marrin shërbime në institucionet publike. Mungesa e barnave dhe shërbimeve i detyron shumë familje të paguajnë nga xhepi, ndërsa për rastet e rënda kërkohet edhe trajtim jashtë vendit. Përfaqësuesit e pacientëve vlerësojnë se kostoja mbetet pengesë për qasjen në trajtim, derisa e konsiderojnë të rëndësishëm funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore.

Përballja me sëmundjet nuk është brenga e vetme për shumë pacientë në Kosovë. Kontrollet mjekësore, analizat, barnat e trajtimet e tjera, të gjitha këto vazhdojnë të jenë barrë financiare për ta.

“E kam djalin, ka pasur tumor. Tash 15 muaj jam duke u marrë me të. Hajr bëfshin qytetarët që më kanë ndihmuar. Në Turqi ia kam bërë operacionin”, tha Ramiz Sallauka, qytetar.

Ndërsa Hamdi Hasani thotë sot brenda një dite ka shpenzuar 900 euro për bashkëshorten e tij, e cila është operuar në Klinikën e Kirurgjisë në QKUK.

Kur mungojnë disa barna, kur një pjesë e shërbimeve nuk ofrohen në institucionet publike dhe kur pacientët nuk kanë sigurime shëndetësore, barra financiare e trajtimit bie mbi familjarët.

Nga Ministria e Shëndetësisë i thanë RTK-së se qytetarët që nuk mund të marrin shërbime në institucionet publike, janë duke u mbështetur financiarisht nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Vetëm gjatë muajit të kaluar, fondi ka pranuar 103 aplikime për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike, ku 92 prej tyre janë aprovuar.

Deri në funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore, zgjerimin e shërbimeve dhe furnizimin e qëndrueshëm me barna, pacientët do të vazhdojnë të përballen me pasigurinë se si do t'i  përballojnë financiarisht trajtimet e tyre.


MË SHUME NGA Shëndetësi