Sigurimet shëndetësore ende pa një datë për funksionalizim /Video
Arbresha Berisha / RTK
Pavarësisht përpjekjeve ligjore prej më shumë se dy dekadash, sigurimet shëndetësore në Kosovë vazhdojnë të mbesin vetëm premtime. Pavarësisht miratimit të ligjit dhe themelimit të Fondit, ende nuk ka një datë të qartë për funksionalizimin e sistemit informativ shëndetësor.
Ekspertët thonë se funksionalizimi merr kohë me vite, ndërsa, Ministria e Shëndetësisë deklaron se po punon për krijimin e kushteve të nevojshme.
Premtimet dhe përpjekjet për sigurimet shëndetësore datojnë që mbi 20 vjet.
Por, në realitet, pavarësisht premtimeve, planeve dhe ligjeve, qytetarët sot e kësaj e dite vazhdojnë t’i mbulojnë vetë shpenzimet për shërbimet shëndetësore.
Për funksionalizimin e sigurimeve nuk ka ende një datë, megjithëse ekspertët shprehen se procesi mund të marrë vite kohë.
Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë për RTK-në se aktualisht janë duke punuar në krijimin e parakushteve për funksionalizimin e sistemit.
“Ofrimi i shërbimeve të mbuluara nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor kushtëzohet nga përmbushja e parakushteve ligjore, organizative, financiare dhe teknike, përfshirë miratimin e pakos së përfitimeve, kontraktimin e ofruesve dhe funksionalizimin e sistemit informativ”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
“Nuk ka një sish që do të mund të ofronte bazë të plotë për funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore. Atë që e kam si informatë është se është menduar më vonë pas strategjisë, ideja është të zhvillohet një sistem bazik, pra të përshpejtohet themelimi i një sistemi i cili do të ishte apostafat i zhvilluar për nevojat e sigurimeve shëndetësore”, ka thënë Genc Gorani, ekspert ndërkombëtar i ndërtimit të SISH.
“Edhe vetë ministri Vitia e ka premtuar disa herë. Në një deklaratë para disa javëve m'u duk që ishte pak skeptik, në kuptimin që nuk e premtonte një funksionalizim të plotë të sigurimeve shëndetësore, po ndoshta hapin e parë drejt funksionalizimit. Po flasim për fundin e mandatit, këtij mandati”, ka thënë Saranda Ramaj, njohëse e shëndetësisë.
Për t`u realizuar sigurimet shëndetësore, nevojitet fillimisht funksionalizimi i Sistemit Informativ Shëndetësor.
Sipas ministrisë, ky sistem aktualisht ndodhet në fazën e zgjerimit, modernizimit dhe integrimit gradual të sistemeve ekzistuese.
Ndërkaq, bizneset thonë se ende nuk kanë informacione të mjaftueshme se si do të zbatohet ky sistem.
“Kemi Shoqatën e Kompanive të Sigurimeve që nuk janë të informuar se si do të shkojë, ku do të jetë involvimi i kompanive të sigurimit. Më pas e kemi Shoqatën e Spitaleve Private që nuk e kanë asnjë informatë se si do të funksionojë sistemi i sigurimit, po i kemi edhe bizneset tona që ende janë të, si me thënë, të panjohur se si do të paguhet sigurimi shëndetësor.
Kështu që jemi në pritje që të kemi informata më të plota dhe ne të dalim si Odë Ekonomike me qëndrimin tonë konkret rreth kësaj çështje...”, ka thënë Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike
Kuvendi këtë vit ka miratuar ligjin për sigurimin shëndetësor, ndërsa Qeveria në qershor mori vendimin për miratimin e fondit të sigurimit.






















