Posta e Kosovës lëshon pulla postare me altarë të periudhës së Neolitit
BKT
Kosovë

Posta e Kosovës lëshon pulla postare me altarë të periudhës së Neolitit

N.M. /RTKlive

Posta e Kosovës ka lëshuar në qarkullim postar një emision të ri të pullave postare me temën “Trashëgimia kulturore – Altarët nga periudha e Neolitit”.

Emisioni i ri filatelik paraqet një altar të periudhës së Neolitit të Hershëm, që daton nga mijëvjeçari VII–VI para erës sonë dhe është zbuluar në Runik të Skenderajt.

Sipas Postës së Kosovës, altari është i punuar nga argjila e pjekur, ka formën e një pjate të mbështetur mbi katër këmbë dhe është i dekoruar me gravura vijash paralele dhe motive të realizuara me mjete trekëndore.

Altarët neolitikë, të njohur edhe si tavolina kulti, kishin karakter ritual dhe lidhen me besimet dhe praktikat shpirtërore të komuniteteve të lashta. Ata dëshmojnë për zhvillimin e jetës kulturore dhe shpirtërore të njeriut në atë periudhë.

Ky emision filatelik është realizuar në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Kosovës, i cili e ruan këtë artefakt me vlerë për trashëgiminë kulturore të vendit.

Posta e Kosovës ka ftuar qytetarët, koleksionistët dhe bizneset që ta përfshijnë këtë emision në koleksionet e tyre, duke kontribuar në promovimin e trashëgimisë historike dhe kulturore të Kosovës.


MË SHUME NGA Kosovë