Rama: Ballkani Perëndimor s’mund të presë anëtarësimin në BE për përfitime ekonomike
BKT
Lajme

Rama: Ballkani Perëndimor s’mund të presë anëtarësimin në BE për përfitime ekonomike

V.Th / RTKLive

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të presin anëtarësimin në Bashkimin Evropian për të përfituar nga mundësitë ekonomike dhe integruese. Ai ka kërkuar që qytetarët dhe bizneset e rajonit të përfitojnë gradualisht nga këto mundësi që tani.

Gjatë Samitit të Planit të Rritjes (Growth Plan), që po mbahet në Tiranë, Rama e cilësoi këtë proces si vendimtar për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe të vetë Evropës.

Ai tha se Plani i Rritjes ndërlidh angazhimet politike me investimet dhe rezultatet konkrete, përmes reformave, konvergjencës ekonomike dhe kohezionit rajonal.

Sipas Ramës, konvergjenca ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së është rritur gjatë viteve të fundit, por mbetet ende shumë punë për t'u bërë.

“Ne kemi qenë avokatë të idesë që qytetarët tanë nuk duhet të presin që të përfitojnë nga mundësi më të mira. Bizneset tona nuk duhet të presin të bëhen pjesë e zinxhirit të vlerës në BE. Qytetarët tanë duhet të përfitojnë që tani gradualisht”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se procesi kërkon angazhim dhe rezultate në zbatimin e reformave, ndërsa vlerësoi mbështetjen e Bashkimit Evropian për vendet e rajonit.

Ai e cilësoi BE-në partner të pazëvendësueshëm për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në procesin e transformimit institucional dhe shtetndërtimit.

“Për Shqipërinë dhe për të gjitha vendet ulur rreth tryezës, është bekim të kesh BE-në si një bashkudhëtar të ngushtë në rrugën e transformimit dhe shtetndërtimit, që në të kundërt do të kishte qenë e pamundur për ne për shkak të traditës shumë të varfër të shtetit dhe institucioneve”, theksoi Rama.


MË SHUME NGA Lajme