Komuna e Ferizajt: Rrugët mbeten të kalueshme pavarësisht reshjeve të borës
RTKlive
Pavarësisht reshjeve të dendura dhe të vazhdueshme të borës, rrugët në qytetin e Ferizajt dhe në fshatrat përreth mbeten të kalueshme.
Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencës, në bashkëpunim me kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen dimërore, ka qenë në terren deri në orët e hershme të mëngjesit, duke bërë pastrimin e rrugëve nga bora.
Drejtori i kësaj drejtorie, Alberton Sahiti, ka thënë se ekipet po vazhdojnë punën për pastrimin e borës dhe hedhjen e kripës në rrugë, me qëllim të sigurimit të qarkullimit sa më të sigurt për qytetarët.
Megjithatë, ai ka theksuar se reshjet e borës po vazhdojnë.
Komuna u ka bërë apel qytetarëve dhe kryetarëve të fshatrave që, në rast të vështirësive në qarkullim, ta njoftojnë me kohë Drejtorinë e Shërbimeve Publike, në mënyrë që ekipet të intervenojnë aty ku paraqitet nevoja.






















