Chelsea e Arsenali për të kompletuar mrekullinë angleze
Një finale angleze edhe në Europa League? Të gjitha gjasat janë që futbolli europian të dominohet nga skuadrat e Premier Leagues, të cilat tashmë e kanë siguruar trofeun e Championsit (finalja Liverpool-Tottenham).
Lavdinë kontinentale po e kërkojnë me ngulm edhe Chelsea me Arsenalin (fitimi i trofeut, e vetmja mundësi për “Topçinjtë që të luajnë në Champions), që me shumë mundësi do të përplasen në finalen e Europa League-s, sigurisht nëse nuk ndodh ndonjë çmenduri në sfidat e kthimit të gjysmëfinaleve që do të zhvillohen në Londër dhe Valencia.
Skuadra e Maurizio Sarrit do të presë në “Stamford Bridge” Eintrachtin e Frankfurtit, me avatazhin e rezultatit të takimit të parë (barazoi 1-1 në Frankfurt), ndërsa Arsenali do të luajë në “Mestalla” një transfertë vështirë, por krejtësisht të manaxhueshme, falë fitores 3-1 në sfidën e zhvilluar në “Emirates”, transmeton SS.
“Football is coming home”, është motoja e tifozëve anglezë. Me trofeun e Championsit të siguruar, misioni do të përmbushej me kualifikimin e dy ekipeve të tjera angleze në një tjetër finale të madhe, atë të Europa League.























