Osmani: Kroacia mbështet perspektivat evropiane të Maqedonisë së Veriut
Zëvendëskryetari i Qeverisë së Maqedonisë Veriore për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës në Republikën e Kroacisë, mbajti takim me kolegen e tiј Marija Pejqinoviq-Buriq, Zëvendëskryetarja e Qeverisë së Republikës së Kroacisë dhe Ministre për Punë të Jashtme dhe Çështje Evropiane.
“Ka një kohë të gjatë që ekziston miqësia dhe marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, e cila u vërtetua edhe me ratifikimin e shpejtë të protokolit për anëtarësim në NATO, për të cilën dua veçanërisht të përcjellë mirënjohjen e Qeverisë në Shkup dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut” theksoi Osmani gjatë takimit, duke shprehur mirënjohje të veçantë deri tek Buriçiq, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme për integrimet evropiane të vendit tonë.
“Gjendemi pikërisht një ditë para publikimit të Raportit të Komisionit Evropian, përmbajtja e të cilit, do të reflektojë progresin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbylljen e çështjeve politike, por edhe progresin në implementimin e agjendës reformuese”, theksoi Osmani, duke potencuar pritjet në vend për përmbushjen e detyrimeve edhe nga ana e Bashkimit Evropian, përmes konfirmimit të vendimit nga viti i kaluar, për fillim të negociatave me Maqedoninë e Veriut këtë vit.
“Jemi të vetëdijshëm për nevojën për të arritur konsensus për këtë vendim në kuadër të BE-së, si dhe për sfidat me të cilat ballafaqohet Unioni, të cilat paraqesin sfidë edhe për vendet anëtare, dhe në këtë drejtim presim mbështetjen e miqve tanë më të afërt në arritjen e perspektivave tona evropiane, mes të cilave me siguri e konsiderojmë edhe Kroacinë – theksoi Osmani.
Në agjendën e Osmanit është edhe takimi me Kryetarin e Komisionit për çështje evropiane në Kuvendin e Kroacisë, Domagoj Ivan Millosheviq, me të cilin përveç integrimeve evropiane do të diskutohet edhe për bashkëpunimin e Kuvendit të të dy vendeve, si dhe për rolin e organeve legjislative nacionale në proceset evropiane. /Zhurnal.mk























