Moska përfiton nga destabilizimi i Shqipërisë

Moska përfiton nga destabilizimi i Shqipërisë

Eksperti për Ballkanin në Qendrën për Analiza të Politikës Evropiane me seli në Uashington, Janusz Bugajski ka komentuar situatën politike në Shqipëri, ndërsa referuar protestave të opozitës, të cilat kanë degjeneruar në dhunë theksoi se Moska kërkon të shfrytëzojë këto tubime për të destabilizuar Shqipërinë. 

Rusia do të jetë përfituesi kryesor ndërkombëtar nëse Shqipëria do të përfshihej nga konfliktet e brendshme dhe paqëndrueshmëria.

“Rusia do të jetë përfituesi kryesor ndërkombëtar nëse Shqipëria do të përfshihej nga konfliktet e brendshme dhe paqëndrueshmëria. Krizat politike të cilitdo shtet evropian e bëjnë Moskën të ‘lulëzojë’. Sepse kur institucionet dobësohen, ligji dhe rendi prishen, fraksionet politike në konflikt bëhen më të hapura ndaj ndihmës të të huajve, dhe fuqitë perëndimore janë të përfshira në menaxhimin e konfliktit, Rusisë ka mundësinë të rrisë ndikimin e saj.

Nga pikëpamja propagandistike dhe e dezinformimit, Rusia do ta përshkruajë dhunën politike ose rënien institucionale në Shqipëri, si një dështim tjetër të Perëndimit. Një skenar i tillë shkatërrues do të përdoret nga Kremlini për të përforcuar mesazhin se anëtarësimi në NATO nuk mund të garantojë siguri dhe se Bashkimi Evropian nuk mund të promovojë zhvillim”, deklaroi ai. Më tej, eksperti Bugajski deklaroi se trazirat e stërzgjatura në Shqipëri, do ta ndihmojnë Rusinë të përdorë pasigurinë politike dhe për t’i shantazhuar shënjestrat e tyre politike.

“Shqipëria sigurisht që nuk ka imunitet  ndaj parave të korrupsionit apo depërtimit të organizatave kriminale të lidhura me shërbimet e inteligjencës ruse. Ata do të përdorin shansin e pasigurisë politike, trazirave sociale dhe të një sistemi të dobët ligjor për të zgjeruar shtrirjen e tyre, dhe për t’i dhënë ryshfet ose për t’i shantazhuar shënjestrat e tyre politike. Moska, gjithashtu, do të vazhdojë të kërkoje rrugë ndërhyrjeje në mediat shqiptare, duke llogaritur se ajo mund të ulë pro-amerikanizmin e popullit dhe angazhimet politike dhe ushtarake në NATO (të vendit). Pak arritje të Moskës në Ballkan mund të ishin më të mëdha sesa kthimi i Shqipërisë nga një aleat i besueshëm i Amerikës në një komb të paqëndrueshëm me konflikte të brendshme, në të cilin NATO nuk mund të ketë më besim dhe të cilin BE nuk e do”, nënvizoi eksperti për Ballkanin në Qendrën për Analiza të Politikës Evropiane, Janusz Bugajski.