Prej kujt po frikësohet Vlladimir Putin?!
   Opinionet e Janosh Bugajskit

Prej kujt po frikësohet Vlladimir Putin?!

Janusz Bugajski

Paralajmërimet e Vladimir Putinit drejtuar NATO-s për t'u tërhequr nga kufijtë e Rusisë ekspozojnë frikën e tij nga dështimi, si në Ukrainë ashtu edhe brenda vendit. Ndryshe nga çka thotë ai, Putini nuk ka frikë nga një pushtim i NATO-s në Rusi. Ai as nuk ka frikë nga sulmet ukrainase në territorin rus apo kundër rusishtfolësve në Ukrainë. Frika e tij thelbësore është se një Ukrainë e pavarur dhe një ombrellë e NATO-s për sigurinë rajonale do të ekspozojnë dështimin e shtetit rus dhe do të përshpejtojnë rënien e regjimit të tij të korruptuar autoritar. Dhe në mënyrë paradoksale, një tjetër sulm ndaj Ukrainës do ta përshpejtojë atë proces. Ndërsa kërcënonte Ukrainën me një pushtim ushtarak në zgjerim duke grumbulluar një numër të paprecedentë trupash përgjatë kufijve të saj, Kremlini ngriti aksionet duke lëshuar një diatrime kundër Uashingtonit të maskuar si një dokument. Moska ka kërkuar që NATO-ja të çarmatoset duke tërhequr trupat nga të gjitha vendet anëtare të vijës së parë, të refuzojë anëtarësimin e ndonjë vendi tjetër evropian, përfshirë Ukrainën, dhe të pranojë sferën e dominimit të Rusisë në të gjitha vendet në kufi me Rusinë. Administrata Biden ka sinjalizuar se do t'i diskutojë këto kërkesa në javët e ardhshme pas konsultimit me aleatët. Tani ajo përballet me dy zgjedhje të zymta – ose të përpiqet të qetësojë Moskën ose të qëndrojë e palëkundur, të refuzojë ultimatumin e Putinit dhe të nxjerrë kërkesat e veta. Çdo kompromis mbi parimet thelbësore të aleancës së NATO-s thjesht do të inkurajojë Kremlinin të kërkojë një tërheqje të mëtejshme dhe të pretendojë një fitore mbi Perëndimin.

Në vend që t'i japë ndonjë besueshmëri kërcënimeve të Putinit, Uashingtoni duhet të përdorë mundësinë për të demonstruar solidaritetin, forcën dhe vendosmërinë e NATO-s duke specifikuar kërkesat e aleatëve ndaj Moskës. Putini duhet t'i kthejë Ukrainës Krimenë e pushtuar dhe Donbasin, të heqë praninë kërcënuese ushtarake të Rusisë kundër kufijve fqinjë dhe të përfundojë përpjekjet për të integruar Bjellorusinë në strukturat e sigurisë së Rusisë. Për të forcuar dorën perëndimore në përgatitje për çdo bisedim të nivelit të lartë me Moskën, Ukrainës duhet t'i sigurohet gjithë fuqia e zjarrit që i nevojitet për ta bërë çdo pushtim rus sa më të dhimbshëm. Për më tepër, një listë e sanksioneve të rënda kundër Moskës në rast të një sulmi tjetër ushtarak kundër Ukrainës mund të bëhet publike, duke përfshirë izolimin e plotë të Rusisë nga tregjet financiare dhe një embargo gjithëpërfshirëse të naftës dhe gazit të eksporteve të Rusisë që do ta shtyjë ekonominë drejt falimentimit. Por pse Putini dëshiron "garanci sigurie" kur as NATO dhe as Ukraina nuk kërcënojnë territorin rus? Përgjigja është një nevojë në rritje për një sukses ndërkombëtar mes frikës në rritje të krizës së brendshme. Pajtimi publik dhe mbijetesa e regjimit janë bazuar gjithnjë e më shumë në një politikë të jashtme agresive dhe antiperëndimor për të demonstruar ndikimin ndërkombëtar të Rusisë. Megjithatë, Putini përballet me rrezikun e llogaritjes së gabuar të fuqisë së tij dhe kriza e brendshme do të përshpejtohet nga një disfatë ushtarake mes rënies ekonomike për të cilën Kremlini do të fajësohet gjerësisht. Një moçal i zgjatur ushtarak në Ukrainë me humbje në rritje për forcat e armatosura të Rusisë mund të mos jetë i qëndrueshëm. Regjimet që humbasin luftërat ose nuk mund t'i fitojnë ato kur kanë vendosur aq shumë për fitoren, pa ndryshim shemben në Rusi. Një pengesë e madhe në luftë me viktima të konsiderueshme do të nxiste luftërat për pushtet dhe revoltat popullore kundër një lidershipi të diskredituar dhe do të nxirrte në pah dështimet e akumuluara të Federatës Ruse. Perandoria cariste u shemb gjatë një lufte me Gjermaninë perandorake dhe perandoria sovjetike u shpërbë në vazhdën e një lufte të dështuar në Afganistan. Fuqia dhe kredibiliteti i Putinit dhe mbijetesa e Rusisë në formën e saj aktuale territoriale do të ishin viktima e një lufte më të gjerë me Ukrainën dhe një konfrontimi në rritje me SHBA-në dhe NATO-n.


MË SHUME NGA    Opinionet e Janosh Bugajskit