23:40 / 18.06.2019
Favre vazhdon kontratën me Dortmundin
Trajneri zviceran do të qëndrojë edhe dy vite te skuadra nga Bundesliga.
Borussia Dortmund dhe Lucien Favre vazhdojnë bashkëpunimin deri më 2021.
Edhe pse dështoi të fitonte trofe në edicionin e tij të parë me verdhezinjtë, klubi ka konfirmuar besimin që kanë ndaj trajnerit 61-vjeçar, duke i zgjatur edhe me një tjetër vit kontratën që i skadonte në 2020-ën.
Favre në sezonin e tij të parë në krye të Dortmundit arriti të kryesonte kampionatin me 9 pikë avantazh ndaj Bayernit por në fund u dorëzua para gjigantit bavarez që e festoi titullin.
Tani te Dortmundi shpresojnë që mos të përsërisin gabimet e një sezoni më parë dhe të arrijnë të fitojnë trofe gjatë këtyre dy viteve.























