Festim Alidema merr lejen për të luajtur me Slaven Belupon
Festim Alidema ka marrë të drejtën për të luajtur në skuadrën e parë të Slaven Belupos.
Pasi u regjistrua nga Federata e Futbollit të Kroacisë të hënën, futbollisti nga Pozherani u pajis sot edhe me leje të punës.
22-vjeçari nga tani e tutje do të jetë në dispozicion të trajnerit Ivica Sertic dhe stafit të tij për ndeshjen e së shtunës kundër Rijekas.
Në futbollin kosovar, Alidema ka luajtur për Vllazinën e Pozheranit dhe për Llapin.
Edicionin e kaluar, ai zhvilloi 30 paraqitje në elitën e futbollit kosovar, duke shënuar 13 gola dhe duke dhuruar gjashtë asistime.
Alidema ka nënshkruar kontratë dy-vjeçare me Slaven Belupon.
“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Slaven Belupos. Unë do ta bëj më të mirën për ta shpaguar besimin e njerëzve që më sollën në klub. Erdha këtu të shënoj gola dhe ta ndihmoj skuadrën të fitoj”, kishte thënë Alidema pasi nënshkroi kontratën me klubin elitar kroat.























