SHBA mbetet pa një tjetër yll, edhe Kyle Lowry mungon në Botëror
BKT
Sport

SHBA mbetet pa një tjetër yll, edhe Kyle Lowry mungon në Botëror

SHBA-të po humbasin një e nga një yjet kryesore të skuadrës, kur kanë mbetur pak më shumë se dy javë nga fillimi i Kampionatit botëror të basketbollit.

I fundit që është tërhequr është Kyle Lowry. Organizatori, që u shpall kampion i NBA me Toronton sezonin e fundit iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në gishtin e madh të dorës së majtë muajin e kaluar dhe nuk ia doli të rikuperohej në kohë.

“Kisha shumë dëshirë të isha pjesë e kampionatit botëror, por mjekët nuk më ndezën dritën jeshile, dua shumë të luaj për kombëtaren time, por tashmë do të jem i detyruar ta mbështes nga ekrani”.

Këto kanë qenë fjalët e 33-vjeçarit. Lowry është i fundit i një serie që për arsye të ndryshme nuk do të jenë me “Team USA” në Botërorin e Kinës. Lebron James e tha që në prill që nuk do të marrë pjesë, po ashtu si James Harden, të njëjtën rrugë ndoqën dhe Anthony Davies e Khwai Leonard, ndërsa Zion Williamson, i dëmtuar, nuk mund të ishte i gatshëm, teksa së fundmi u tërhoq edhe Marvin Bagley.

Kaq shumë mungesa mund të ndikojnë në paraqitjet e skuadrës së Greg Popovich, edhe pse SHBA-të mbeten favoritët kryesorë për titullin kampion.