Aksionari i Prishtinës reagon ndaj Remzi Ejupit
BKT
Sport

Aksionari i Prishtinës reagon ndaj Remzi Ejupit

Rrahman Haradini ka thënë se dokumenti i publikuar nga klubi i Prishtinës për aksionet është mashtrim. Sipas tij, duhet të shikohen të dhënat te faqja e Agjensionit për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë.

Dje u publikua lista e aksioneve në klubin prishtinas, listë me një renditje ne Microsoft Excel, ku Haradini figuronte si aksionari i dytë më i madh në klub, me presidentin aktual bardhekaltër, Remzi Ejupi, si i pari.

Megjithatë, në faqen e ARBK’së, nëse kërkohet subjekti FC Prishtina, ndarja e aksioneve është ndryshe. Me 34,80 % të aksioneve, Haradini është aksionari më i madh.

“Dokumenti i publikuar dje rreth gjendjes së klubit futbollistik Prishtina sa i përket aksioneve është mashtrimi i radhës nga Remzi Ejupi. Dëshira dhe realiteti dallojnë shumë sepse në ARBK, ku klubi është i regjistruar, dokumentet zyrtare tregojnë një realitet që nuk ka të bëj me dokumentin e publikuar dje nga klubi”, u shpreh Haradini.

“Për hir të së vërtetës dhe për respekt ndaj gjithë futbolldashësve kryeqytetas, ju ftoj ta vizitoni faqen zyrtare të ARBK’së ku gjenden të gjitha dokumentet zyrtare rreth gjendjes së klubit”, shtoi tutje për Olle, Haradini.

Ky i fundit, që jeton dhe vepron në Zvicër, për shumë vite ishte donatori më i madh te klubi prishtinas duke qenë motori financiar bardhekaltër.