17 Tetori vendimtar për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut
BKT
Rajoni dhe Bota

17 Tetori vendimtar për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut

Mes 17 dhe 18 tetorit do të dihet nëse Maqedonia e Veriut do të marrë ose jo datë për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Pas rekomandimit të Komisioni Evropian për fillim të negociatave në qershor, ngelet që të gjithë shtetet anëtare të BE-së të bien dakord unanimisht për fillimin e negociatave, transmeton Portalb.mk. A do ta ndjekin shembullin e Gjermanisë edhe shtetet tjera, sidomos Franca?

“Pritet që Ministrat e shteteve anëtare të vendosin nëse do të fillojnë negociatat me vendin në mbledhjen e ardhshme të Këshillit për Punë të Përgjithshme që do të mbahet më 15 tetor, ndërsa vendimi përfundimtar do të duhet të merret nga drejtuesit e Shteteve anëtare të BE-së, njëzëri, gjatë mbledhjes së Këshillit të Bashkimit Evropian më 17 dhe 18 tetor 2019”, thonë nga delegacioni i BE-së në RMV për Portalb.mk.

Sinjal pozitiv për dhënien e datës dërgoi mbrëmë Gjermania e cila votoi me shumicë votash për dhënien e datës për nisjen e negociatave për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Pritet të shihet nëse vendet tjera anëtare, sidomos nëse Franca e cila ka qenë më kritike për ngecjen e reformave në gjyqësor në Maqedoni, do të ndjekë shembullin e Gjermanisë.

Në kontekst të pritjes së vendimit për fillimin e negociatave me BE-në në tetor, ambasadori francez Kristian Timonie, kohë më parë vlerësoi se pozicioni i Maqedonisë tani është më pak i fuqishëm për shkak të ngjarjeve rreth rastit “Reket” dhe pamundësisë që të arrihet marrëveshje për ligjin për PP-në.

Maqedonia ka ende punë, edhe nëse merr datën

“E mirëpresim votimin e sotëm të Bundestagut për nisjen e negociatave për integrim të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në tetor. Njohja e përparimit konkret është kyç për nxitjen e reformave në Ballkanin Perëndimor dhe për kredibilitetin e BE-së”, tha komisari për Zgjerim të BE-së, në largim, Johanes Han nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social “Tuiter”.

“Raporti i BE-së për zhvillim të Maqedonisë tregon se ka zhvillim të caktuar në disa fusha, por ekzistojnë edhe mjaft fusha ku ende patjetër duhet që të punohet, të zbatohen reformat e patjetërsueshme në procesin integrues. Siç shihet, raporti është çështje qendrore dhe prioritet është theksuar në zbatimin e reformave të patjetërsueshme, sundimin e ligjit me të gjitha aspektet që i nënkupton”, theksoi para do kohe, Rajnhard Pribe.

Pribe e ka udhëhequr grupin pesë anëtaresh të ekspertëve të BE-së të obliguar për çështje sistematike, në deklaratë për media ka theksuar se më nuk është përfaqësues zyrtar i BE-së, por personalisht ndjehet se Maqedonia dhe shtetet nga rajoni do të bëjnë hapa drejt procesit të integrimit.

“Në çdo rast, reformat të cilët i treguam ne, ndërkaq theksohen edhe në raportin e BE-së, duhet që të bëhen, jo vetëm për shkak të zhvillimit të procesit eurointegrues, por për vetë shtetet dhe qytetarët”, tha Pribe.

“Sundimi i së drejtës është kyçe për afrimin drejt BE-së, të gjitha resurset dhe fuqitë në shoqëri do të duhej që të angazhohen dhe të drejtohen nga ai qëllim”, tha Pribe.

Komisioni Evropian dha rekomandimin për të filluar negociatat e pranimit në qershor.

Kreu i shtetit në Maqedoninë e Veriut pret vendim pozitiv

Në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ditëve të fundit kryeministri Zoran Zaev ka marrë mbështetje nga krerë shtetërorë për marrjen e datës për nisjen e negociatave.

Ai ka pritje optimiste për marrjen e datës për fillim të negociatave me BE-në. Sipas tij, ai është optimist pasi ka pasur dhjetë rekomandime të njëpasnjëshme nga Komisioni Evropian si dhe në bazë të rezultateve të arritura të vendit në zbatimin e reformave në përputhje me standardet evropiane.

Presidenti Stevo Pendarovski shpreson se fillimi i negociatave do të jetë një shtysë e fortë për realizimin e mëtutjeshëm të reformave thelbësore të vendit deri në anëtarësimin e saj të ardhshëm në Union, i cili do të kontribuojë në stabilitetin e përgjithshëm dhe prosperitetin e vendit dhe rajonit.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota