Maqedonia e Veriut do të reagojë ndaj ABSH-së për gjuhën maqedonase
Sharr Travel

Maqedonia e Veriut do të reagojë ndaj ABSH-së për gjuhën maqedonase

Republika e Maqedonisë së Veriut, do të reagojë ndaj vlerësimit të Akademisë Bullgare të Shkencave (ABSH), se gjuha maqedonase është dialekt bullgar. Autoritetet në vend fillimisht do ta shqyrtojnë hollësisht kumtesën e ABSH-së, më pas do të pasojë reagimi edhe përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Këtë e paralajmëroi dje kryeministri Zoran Zaev, ndërkaq nuk u ndalën reagimet nga disa anë pas publikimit të ABSH-së se karta për gjuhën maqedonase që e miratoi ASHAM përmban pozicione të pasakta dhe të papranueshme, të cilat i dëmtojnë marrëdhëniet mes dy shteteve fqinje.

“Më 3 dhjetor 2019, Kuvendi i Akademisë së Shkencave dhe arteve të Maqedonisë së veriut (ASHAM) miratoi “Kartën për gjuhën maqedonase”. në të janë konstruuar argumente historike dhe gjuhësore për mbrojtjen e gjuhës zyrtare letrare në Republikën e Maqedonisë së Veriut si gjuhë e posaçme e pavarur me vazhdimësi dhe gjenealogji, e cila në Shkup është quajtur ‘maqedonase’”, reagoi ABSH dhe theksoi se dokumenti ka shkaktuar “shumë vërejtje serioze shkencore”.

Dokumenti është shqyrtuar nga ana e kryesisë së ABSH-së, pasi që rreth tij u deklaruan edhe Instituti për gjuhë bullgare, Qendra shkencore cirilo-metodiste dhe Instituti për hulumtime historike pranë Akademisë. ABSH paralajmëron se për qëndrimet e veta zyrtarisht do t’i njoftojë Kuvendin nacional të Bullgarisë dhe institucionet më të larta shtetërore.

Reagime në vend, përveç nga kryeministri Zaev, pati edhe nga shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov, nga kryetari aktual i ASHAM-it, Taki Fiti, nga kryesuesi i komisionit maqedono-bullgar të ekspertëve, Dragi Gjorgiev, nga Instituti për letërsi maqedonase.

Edhe ky vlerësim i ABSH-së vjen në momentin kur Komisioni i përbashkët ngeci në çështjen për figurën dhe veprën e Goce Dellçevit, ndërsa historianët maqedonas kërkuan të shtyhen takimet formale deri në përfundimin e zgjedhjeve tek ne.

Sipas Institutit për letërsi maqedonase me kumtesën e ABSH-së, mohohet ekzistimi i gjuhës, letërsisë, historisë dhe kulturës maqedonase dhe me atë bëhet mohim i identitetit nacional maqedonas.

 


MË SHUME NGA Rajoni