City deklason Aston Villën, Aguero thyen rekordin e het-trikut
Futbollistët e Manchester City shënuan sot fitore në udhëtim kundër Aston Villa me rezultat të thellë 6:1, në kuadër të javës 22 të Premier Ligës angleze.
Mysafirët nisën furishëm takimin duke sulmuar drejt portës kundërshtare gjë e cila iu shpagua me golat e Mahrez në minutat 18 dhe 24, si dhe Aguero në minutën 28. Në fund të pjesë së parë City shënoi edhe golin e katërt, përmes Jesus.
Të përzgjedhurit e Pep Guardiolës patën një performancë të mirë edhe në pjesën e dytë të ndeshjes, duke shënuar edhe dy herë, përmes Aguero në minutat 57 dhe 81, transmeton KosovaPress.
El Gazi shënoi golin e nderit për vendësit në minutën 90.
Pas kësaj fitoreje, City renditet në vendin e dytë me 47 pikë, 8 më pak se lideri Liverpool, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.
Aston Villa mbetet në zonën e rrezikuar për të rënë nga liga, më konkretisht në pozitën 18 në tabelë me 21 pikë të grumbulluara.
Sergio Aguero tashmë ka thyer një rekord sa i përket tre golave të shënuar, duke tejkaluar Alan Shearer (11) në Premierë Ligë me 12 het-trika.























