Danny Rose drejt huazimit, Gameiro qëndron te Valencia
Danny Rose përshëndet për momentin Tottenhamin. Mbrojtësi, i cili nuk po gjen një vend titullari në formacion që nga ardhja e Jose Mourinhos, është shumë pranë largimit nga Spurs-at, ku portugezi e ka aktivizuar vetëm pesë herë.
29-vjeçari pritet të transferohet në formë huazimi te Newcastle, pasi të dy klubet duket se kanë gjetur gjuhën e përbashkët për kalimin e mbrojtësit nën urdhrat e Steve Bruce deri në fund të sezonit.
Ndërkohë, erdhmja e Kevin Gameiro me shumë mundësi do të vijojë në “Mestalla”. Drejtuesit e skuadrës së Valencias kanë vendosur ta heqin për momentin nga merkatoja 32-vjeçarin, i cili në 21 ndeshje sezonale ka realizuar 4 gola. Francezi është pjesë e Valencias që nga viti 2018, kur u transferua nga Atletico Madridi për shumën e 16 milionë eurove. Lajmi për qëndrimin e lojtarit nën urdhrat e trajnerit Albert Celades u konfirmua nga agjentët e francezit.
Në anën tjetër, drejtuesit e Atalantës mendojnë të shpërblejnë punën e trajnerit Gian Piero Gasperini, duke i dhuruar një përforcim për repartin e mesfushës. Objektivi i bergamaskëve është Adrien Tameze, i cili aktivizohet te skuadra e Nices, ku gjatë këtij sezoni në 8 takime ka shënuar një gol. Bisedimet mes palëve janë të avancuara me francezët të prirur për të pranuar ofertën prej 8 milionë eurosh të klubit italian.























