Reali përgatit ofertë mbi 200 milionë euro për Sterling
Real Madridi do të hidhet në sulm me të gjitha forcat për ta blerë yllin anglez Raheem Sterling nga Manchester City, duke u përpjekur ta shfrytëzojë përjashtimin e gjigantit anglez nga Liga e Kampionëve si mundësi më të lehtë për ta arritur qëllimin.
Sipas mediave angleze, Reali është duke e përgatitur një ofertë marramendëse, në vlerë 216 milionë euro, për ta transferuar Sterlingun.
Gjiganti spanjoll ndien se përjashtimi i Manchester City për dy vjet nga garat evropiane, do të ndikojë në vendimin e yllit anglez për të dëshiruar të kalojë në Santiago Bernabeu.
Sulmuesi 25-vjeçar i ka edhe tri vjet në kontratën aktuale me Cityn. Ai ka pagë të majme javore, 360 mijë euro, edhe pse në nëntor i nisi bisedimet për ta rritur atë në 540 mijë euro, raporton Express.
City do t’i humbasë 205 milionë euro nëse vendimi për përjashtim nga Liga e Kampionëve mbetet në fuqi. Dhe pa këto të hyra, vështirë që paga e Sterling mund të rritet.
Sterling nuk e ka fshehur dëshirën për të luajtur jashtë vendit gjatë karrierës së tij.























