Shuhet portieri legjendar i Manchester United

Shuhet portieri legjendar i Manchester United

Shuhet legjenda e Manchester United, Harry Gregg. Në moshën 87-vjeçare ai është mposhtur nga sëmundja dhe tashmë pritet të shoqërohet për në banesën e fundit, me nderimet e duhura.

“Me shumë pikëllim informojmë vdekjen e legjendës së Manchester United dhe Irlandës së Veriut, Harry Gregg. Harry ndërroi jetë paqësisht në spital, i rrethuar nga familja e tij e dashur.

Familja e Gregg do të donte të falënderonte stafin mjekësor të “Causeway Hospital” për përkushtimin e tyre gjatë javëve të tij të fundit. Për të gjithë ata që kanë telefonuar, e kanë vizituar ose kanë dërguar mesazhet e tyre, ju falënderojmë për dashurinë dhe respektin e shprehur për Harry dhe familjen e tij”, shkruhet në postimin e bërë në Harry Gregg Foundation.

Gregg ka qenë pjesë e Manchester United në periudhën 1957-1966, duke luajtur më shumë se 200 ndeshje. Ai aktivizohej si portier dhe ka qenë pjesë e Irlandës së Veriut. Në Botërorin e vitit 1958, që u zhvillua në Suedi, ai u shpall portieri më i mirë i turneut.