Maqedoni e Veriut, dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, shqipja në harresë

Maqedoni e Veriut, dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, shqipja në harresë

Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës amtare në Maqedoninë e Veriut, nuk gjen zbatim Ligji për përdorimin e gjuhëve i cili avancon përdorimin e shqipes në institucione.

Kreu i Agjencisë për Zbatimin e gjuhëve, Ylber Sela thotë se zbatimi i Ligjit mbetet sfidë për të ardhmen, duke kritikuar mediat dhe institucionet shtetërore të cilat e anashkalojnë shqipen.

"Qeveria duhet të jetë promotor i zhvillimit të një shoqërie multi-etnike dhe multi-gjuhësore. Të gjithë duhet të kemi përgjegjësi dhe të jemi të kujdesshëm që të mos lejojmë elemente siç po i shohim edhe sot, psh në të gjitha tabelat e televizioneve kemi vetëm gjuhën maqedonase dhe kjo normalisht që çon drejt ndarjeve, stereotipeve të cilat po i shohim çdo ditë. Unë si drejtor i Agjencisë çdo ditë marrë ankesa nga qytetarët. Ende kemi ministri të cilat ende nuk e kanë zbatuar fazën e parë të  përdorimit të gjuhëve', deklaroi Ylber Sela, Drejtor i Agjencisë për Gjuhët.

Ministri për Sistem Politik, Sadulla Duraku theksoi nevojën për zbatimin e plotë të ligjit të miratuar një vit më parë, me të cilën sipas tij, zyrtarizohet shqipja. Por tha se kjo varet nga vullneti dhe jo sanksionet e parashikuara në rast mos-zbatimi.

"Përveç sanksioneve ligjore implementimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve në masë të madhe varet edhe nga vullneti dhe vetëdija e qytetarëve për zbatimin e saj. Sfidat e shumta të cilat na dalin përpara në këtë proces duhet të mundohemi të gjithë bashkërisht t’i tejkalojmë", tha Sadulla Duraku, Ministër për Sistem Politik.

Ndonëse ishte parashikuar që një vit pas hyrjes në fuqi, të gjitha institucionet të miratonin aktet nënligjore për zbatimin e ligjit dhe gjoba në rast të mos-zbatimit, një gjë e tillë ende nuk është bërë.  Anashkalimi i shqipes dhe bastardimi i së njëjtës vazhdon të mbetet evidente.  /Alsat-m