Kukësi-Tirana premton shkëndija dhe spektakël!
Air Albania hap dyert për një tjetër sfidë të madhe të futbollit shqiptar.
Sot në orën 18:00 në impiantin e ri të kryeqytetit luhet sfida mes dy skuadrave që kryesojnë kampionatin shqiptar pasi Kukësi pret Tiranën në stadiumin ku bardheblutë kanë zhvilluar disa nga takimet e tyre të fundit dhe kanë regjistruar rezultate shumë pozitive.
Gjyqtar kryesor i kësaj sfide do të jetë Eldorjan Hamiti, pikërisht gjyqtari që vendosi drejtësi edhe në sfidën e parë që zhvilloi Kukësi në Air Albania atë ndaj Partizanit, ndeshje që u fitua me rezultatin 1-0 nga verlindorët.
Kukësi e ka mposhtur dy herë Tiranën në këtë sezon dhe bardheblutë do të tentojnë me çdo kusht të “hakmerren” në një farë mënyre ndaj verilindorëve dhe të ndërrojnë vendet me Kukësin kryesues.
1 pikë është diferenca në renditje mes dy skuadrave, ndërkohë që edhe numri i tifozëve në shkallët e stadiumit do të jetë deri diku i barabartë madje mund të anojë nga Tirana duke patur parasysh që ndeshja luhet në kryeqytet.
Si Shpëtim Duro ashtu edhe Emanuel Egbo do të hedhin në fushë formacionet më të mira të mundshme me spektaklin që pritet të jetë i garantuar, raportojnë mediat shqiptare.























