Sela e Gashi nënshkruajnë marrëveshjen për koalicion

Sela e Gashi nënshkruajnë marrëveshjen për koalicion

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela dhe ai i Alternativës Afrim Gashi, sot e kanë nënshkruar marrëveshjen për koalicion në zgjedhjet e parakohshme të 12 prillit.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes për koalicion, Ziadin Sela tha se është moment i rëndësishëm, duke shtuar se ky është hap i fuqizimit të votës shqiptare

“12 prilli nuk duhet të jetë dita e cila do të bëjë që kjo marrëveshje e jona do të duhet të pushojë së ekzistuari, por 12 prilli duhet të jetë dita kur kjo marrëveshje të merr fuqi. Marrëveshja jonë është mbi parimin – shteti për të gjithë”, tha Sela.

Ndërsa kryetari i Alternativës Afrim Gashi, tha se ky koalicion nuk e ka për qëllim hakmarrjen, ose nxitjen e urrejtjes ndëretnike.

“Jemi këtu për t’ju thënë se pas 12 prillit do të kujdesemi për të gjithë shqiptarët. Ne do t’u shërbejmë atyre, pavarësisht bindjeve të tyre politike. Për ne më e rëndësishme dita pas 12 prillit, se sa ditët deri atëherë”, tha Gashi.

Ai u shpreh i bindur për fitore në zgjedhjet e parakohshme të cilat do të mbahen më 12 prill.

Koalicioni në mes Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës është koalicioni i parë parazgjedhor.