Tragjedia në Rramanli, gjendja e të djegurve është kritike
Katër persona të lënduar në tragjedinë e një dite më parë në Rramanli, janë në rrezik për jetën. Në mesin e tyre janë tri gra 31-40 dhe 45 vjeçare, të cilat kanë djegie të shkallës së tretë me 80 për qind dhe një fëmijë 10 vjeçar i cili ka 70% të djegies së trupit, ndërsa shenja përmirësimi ka dhënë një 50 vjeçar tek të cili është konstatuar djegie e trupit 45 %.
Gjendja e tre pacientëve, posaçërisht e dy grave është mjaft kritike. Ato janë në gjendje të rëndë. Përpiqemi me të gjitha forcat maksimale që ta stabilizojmë gjendjen e tyre. Bëhet fjalë për djegie të rënda, që jenë realisht të rrezikshme për jetë. Flitet për djegie të shkallës mbi 80%”-pohoi Ilir Hasani, drejtor i Urgjencës së QKU “Nënë Tereza”.
Jashtë rrezikut për jetën është një 28 vjeçare e cila është shtatzënë, e cila është shtrirë për kurim në Spitalin e Qytetit në Shkup.
Djegia është e nivelit të dytë. Rëndues është fakti se pacientja është në muajin e shtatë të shtatzënisë. Dje e njëjta ka kryer kontrolle tek gjinekologu është konstatuar gjendja e fëmijës. Por nuk dihet se si do të vijojë situate, nuk mund të flasim para kohe”-tha Ljuben Arsenov, drejtor i Spitali të Qytetit të Shkupit.
Kjo ishte fotografia e fundit e Fatlumit dhe Fetijes, vëlla e motër 8 dhe 9 vjeç të bërë para se të shkonin mysafirë tek daja. Plagëve të marra nuk mundën t’iu mbijetojnë dy mbesat dhe nipi i tij, të cilët humbën jetën në dhomën ditore, përderisa nëna e tyre po u përgatiste mëngjesin.
Tre fëmijët që ndërruan jetën në vendin e ngjarjes si dhe kryefamiljari 58 vjeçar Shaip Alimi i cili ndërroi jetë 12 orë pas ngjarjes u varrosën sot në vendlindjet e tyre.
Nga Prokuroria thonë se rasti është konstatuar si fatkeqësi dhe nuk hetohet për gjetjen e fajtorëve. Ndërkaq, Këshilli i Komunës së Kumanovës në një seancë të jashtëzakonshme vendosi që nesër të shpallet ditë zie në këtë qytet. Flamujt do të vihen në gjysmështizë dhe të gjitha aktivitetet anulohen. /Alsat-m























