Casemiro çështje te Reali, Zidane kërkon “Makelelen e ri”
BKT
Sport

Casemiro çështje te Reali, Zidane kërkon “Makelelen e ri”

Reali i Madridit po planifikon të ardhmen, por përpara ka një mision të rëndësishëm për ta përfunduar me sukses.

Casemiros i përfundon kontrata në vitin 2021 dhe ende nuk ka firmosur rinovimin. Braziliani është lojtari më i rëndësishëm i formacionit të Zidane-s, ai që ekuilibron mesfushën.

Nëse gjërat vazhdojnë të qëndrojnë kështu si tani, Casemiro mund të flasë me skuadrat e tjera në muajin janar dhe rrezikon që të largohet me kosto zero.

Diçka e tillë do të ishte një goditje e madhe për Realin, i cili jo vetëm që do të humbte një lojtar të rëndësishëm në aspektin sportiv, por as nuk do të arkëtonte nga largimi i tij.

Sipas gazetës “AS”, gjatë dimrit ka pasur kontakte mes tij dhe agjentit, por nuk u gjet gjuha e përbashkët. Pastaj erdhi ndalesa nga Koronavirusi dhe nuk ka pasur bisedime. U tha se Casemiro dhe Reali do të firmosnin një kontratë të re deri në vitin 2023, por ajo nuk u bë zyrtare. Gjatë negociatave, Reali i Madridit i ofroi një pagë vjetore shumë të rëndësishme, duke parë edhe rolin e tij në fushën e lojës.

Casemiro do të fitojë aq sa Ramos dhe Hazard, të cilët janë të dytët më të paguar te Reali (Bale është i pari me 14.5 milionë neto). Nëse Casemiro do të rinovojë kontratën do të ketë edhe një rishikim të klauzolës së tij, e cila është 200 milionë euro. Pavarësisht se është një shifër e lartë dhe që nuk mund të arrihet lehtësisht nga skuadrat e tjera, Perez dëshiron të ndjekë traditën për të blinduar me të mirët. Brahim Diaz ka klauzolë 750 milionë euro te Reali i Madridit, po ashtu edhe Asensio (700 milionë euro), shifra të çmendura dhe të paimagjinueshme në botën e futbollit.

I rëndësishëm – Zidane as nuk duhet pyetur fare nëse e konsideron të paprekshëm mesfushorin brazilian. Faktet e dëshmojnë këtë gjë: Casemiro është lojtari më i aktivizuar në këtë sezon me 3120 minuta, më shumë sesa Ramos me 3033 minuta. Një vit më parë, Zizu i dha 3945 minuta në këmbë dhe është një nga të preferuarit e francezit. Kase, siç e quan Zizu, është 28 vjeç dhe në këmbët e tij ka ende shumë kilometra për të bërë.

Makelele i ri – Por pavarësisht besimit që kanë madrilenët se Casemiro do të rinovojë kontratën e tij, Zinedin Zidane nuk e humbet mundësinë për të afruar një tjetër mesfushor cilësor për të ardhmen. Lista e lojtarëve është e gjatë dhe Zizu dëshiron një Makelele të ri në skuadrën e tij. Dëshira e tij është që të ketë një bashkëkombës dhe francezët e momentit janë: Kante, Kamavinga, Tshuameni dhe Sumare. 

Kamavinga është ai që u pëlqen shumë madrilenëve dhe kanë nisur kontaktet me lojtarin dhe agjentin e tij.