Zaev kërkon zgjedhje me 14 qershor, qytetarët në tetor
BKT
Rajoni dhe Bota

Zaev kërkon zgjedhje me 14 qershor, qytetarët në tetor

Kryetari i Lidhjes Social Demokrate në Maqedoninë e Veriut, Zoran Zaev kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 14 qershor marrë shkas edhe nga përmirësimi i situatës me koronavirusin.

Ish-kryeministri maqedonas, Zoran Zaev tha se nëse zgjedhjet lihen për në vjeshtë ato rrezikojnë të mos mbahet për shkak të paralajmërimeve për paraqitje të valës së re të sëmundjes Covid-19, dhe për shkak të kësaj vendi do të mbetej pa institucione të qëndrueshme, por edhe që nuk do të kenë as bazë kushtetuese, pasi në dhjetor mbushen katër vjet që nga mbajtja e zgjedhjeve të fundit.

“Është mirë të mbahen në kushte të tilla sepse nuk rrezikohet shëndeti i qytetarëve, posaçërisht pasi në vjeshtë pritet valë e re. Kjo do t’i jepte mundësi shtetit që më mirë të përgatitet për valën e re, me Kuvend dhe institucione funksionale”, ka deklaruar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

VMRO DPMNE-ja në opozitë konsideron se “shëndeti i qytetarëve është mbi të gjitha andaj edhe për momentin nuk duhet të diskutohet për zgjedhje”. Por, megjithatë kjo parti si afat për mbajtjen e zgjedhjet ka propozuar mesin e korrikut, me kusht nëse normalizohet gjendja me koronavirusin.

Partitë shqiptarë gjithashtu kanë qëndrime të ndryshme. BDI-ja kërkon mbajtjen e tyre sa më parë që të jetë e mundshme ndërsa Aleanca për Shqiptarët në opozitë, kërkon që zgjedhjet të mbahen pasi të hapen kufijtë në mënyrë që e drejta e votës ti sigurohet edhe diasporës.

Për zgjedhjet do të diskutohet edhe në takimin e liderëve të partive politike, të martën në një takim që pritet të mbahet nën drejtimin e presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Megjithatë, të gjithë liderët politike kanë thënë se do të respektojnë çdo mendim që do të japin ekspertët e mjekësisë, për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut.

Zgjedhjet ishin paraparë të mbahen më 12 prill por ishin shtyrë për shkak të pandemisë dhe aktualisht vendi drejtohet nga një qeveri teknike në të cilën merr pjesë edhe VMRO DPMNE-ja opozitare.

Po çfarë thonë vetë qytetarët në Maqedoninë e Veriut?

Qytetarët besojnë se tani nuk është koha për zgjedhje. Të pyetur nëse zgjedhjet duhet të mbahen në qershor ose korrik, apo nëse është më mirë të presin afatin e rregullt për zgjedhjet parlamentare në tetor, (51.6%) e të anketuarve besojnë se zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet të mbahen në vjeshtë dhe (21.6%) gjatë verës.

Shumica e qytetarëve janë të gatshëm të shkojnë në votime në zgjedhjet e ardhshme (64.6%), 14.3 përqind e të anketuarve thanë se do të bojkotojnë zgjedhjet.

"Nuk e di" u përgjigjën 16.6 përqind, dhe "Nuk dua të përgjigjem" u plotësua nga 4.6 përqind e qytetarëve të anketuar.

Shumë qytetarë ende nuk e dinë ose nuk duan të zbulojnë se për kë do të votojnë.

Kur pyeten se për kë do të votonin nëse zgjedhjet parlamentare mbahen sot, avantazhi prej 1.6 përqind është në favor të VMRO-DPMNE-së.

Nga ata që zgjodhën një parti, diferenca midis VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së është 3.9 përqind në favor të së parës.

Sondazhi u realizua nga Market Vision për website-n maqedonas Mkd.mk. Sondazhi telefonik u krye nga 28 prilli deri më 5 maj në një kampion përfaqësues prej 1.200 të anketuarve.

Popullsia shqiptare në mostër përfaqësohet me 22%.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota