Fushata zgjedhore në Serbi në rrethana të pandemisë
Sharr Travel

Fushata zgjedhore në Serbi në rrethana të pandemisë

Për shkak të epidemisë së koronavirusit dhe kufizimeve të kushtëzuara me masat për parandalimin e përhapjes së virusit, fushata zgjedhore e sivjetme në Serbi, në vend të mitingjeve dhe tubimeve tjera publike, aktivitetet i ka bartur në mediat elektronike, në portalet në internet, si dhe në rrjete sociale.

Serbia, menjëherë pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme, më 6 maj, ka hyrë në fushatë zgjedhore, e cila do të zgjasë deri në fillimin e heshtjes zgjedhore në prag të zgjedhjeve lokale, krahinore dhe parlamentare të shpallura për 21 qershor.

Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë dhe lideri i Partisë Progresiste Serbe, e cila është në pushtet, ka deklaruar fillimin e fushatës më 16 maj në një konferencë ‘online’, të cilën, siç kanë raportuar mediat lokale, e kanë përcjellur mijëra njerëz.

“Të dashur miq, t’ju them sinqerisht, unë këtë nuk e kam bërë asnjëherë dhe nuk kam menduar se është e mundur që t’ju drejtohem në këtë mënyrë”, ka thënë Vuçiq, i rrethuar nga e ekranet me fytyrat e mbështetësve të partisë së tij, të cilët ishin kyçur në konferencë.

Tubimet ‘online’ të Partisë Progresiste Serbe

Gjatë fjalimit të tij 20-minutësh, i ndërprerë nga duartrokitjet, Vuçiq tha se qytetarët do të vendosin në zgjedhjet e ardhshme nëse do të shkojnë me “hapa edhe më të sigurt në të ardhmen apo në të kaluarën”, duke i ftuar votuesit që të votojnë për “planin dhe vizionin, për Serbinë në të ardhmen dhe vendet për fëmijët tanë, në mënyrë që të kenë një të ardhme dhe të punojnë shumë dhe të jetojnë nga puna e tyre”.

Nga Partia Progresiste Serbe paralajmërojnë që përderisa ekspertët konsiderojnë që ekziston rreziku për përhapjen e koronavirusit, do ta zhvillojnë fushatën nga largësia, pa tubime të mbështetësve dhe pa fushatë të formës ‘derë më derë’.

“Do të shfrytëzojmë mediat elektronike, rrjetet sociale dhe portalet, ndërkaq kontaktet me simpatizuesit, anëtarët e partisë dhe votuesit potencialë do të mbajmë me telefon”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Zvezdan Milovanovq, i besuari i Partisë Progresiste Serbe për Nish, qytet ky në jug lindje të Serbisë, rreth 240 kilometra larg Beogradit.

Ai është gjithashtu edhe pronar i televizionit Kopernikus dhe i dyti në listën “Aleksandar Vuçiq –për fëmijët tanë” në zgjedhjet lokale.

Sipas ti, në fushatë do të theksohet hapja e fabrikave, paralajmërimi i investimeve të reja dhe një pjesë e rëndësishme e fushatës do t’i kushtohet autostradës Nish-Prishtinë-Durrës.

Fushata në Vojvodinë

Votuesit në Vojvodinë, më 21 qershor do të dalin në zgjedhjet krahinore, në të cilat do të zgjidhen deputetët e Kuvendit të Vojvodinës. Ndër listat e konfirmuara tashmë është edhe koalicioni Fronti i Vojvodinës, i cili përbëhet nga Lidhja Socialdemokrate e Vojvodinës, Së bashku për Vojvodinën, Partia vojvodinase, Lidhja Demokratike e Kroatëve në Vojvodinë, Partia e Malazezëve dhe Blloku Demokratik.

Një pano në Novi Sad.

Aleksandar Marton nga Lidhja Socialdemokrate e Vojvodinës, e cila angazhohet për të drejta më të mëdha të Vojvodinës, krahinë autonome kjo në kuadër të Serbisë, thotë që koalicioni e ka pritur i përgatitur fushatën specifike dhe veprimin në kushte të vështirësuara.

“Ne dëshirojmë që të ruajmë shëndetin e qytetarëve dhe për këtë arsye po e zhvillojmë fushatën në rrjete sociale dhe në media. Ne po përpiqemi që në atë mënyrë t’i përhapim idetë tona politike. Po planifikojmë edhe aksione në rrugë , në të cilat aktivistët tanë do të jenë të mbrojtur plotësisht dhe në këtë mënyrë do t’i mbrojmë edhe qytetarët”, tha Marton.

Mungojnë mitingjet

Ndërkaq, në Kragujevci, qytet ky rreth 1,140 kilometra larg Beogradit, po e kalon shumë më lehtë epideminë, pa viktima dhe me vetëm 69 të infektuar, ndërkaq që tashmë është java e katërt me radhë që nuk ka pasur raste të reja me sëmundjen COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi.

Ish-kryetari i qytetit së Kragujevcit dhe bartësi i listës “Të gjithë në këtë anë”, Veroljub Stevanoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë që pavarësisht shtendosjes së situatës epidemiologjike në qytet, gjatë fushatës zgjedhore, koalicioni i tri lëvizjeve politike – Së bashku për Shumadinë, Serbia e shëndoshë dhe Serbia më e mirë, të cilën e udhëheqë në zgjedhjet lokale, nuk do të organizojë mitingje të mëdha si më parë.

Veroljub Stevanoviq, gjatë një mitingu zgjedhor më 2015.

“Në vend të mitingjeve në vendbanimet e njëjta do të kemi më shumë tubime të vogla, do të organizojmë aksione në rrugë, do të komunikojmë me qytetarët përmes rrjeteve sociale dhe do të përmbyllim fushatën me vizita nëpër shtëpi”, tha Stevanoviq, i cili shtoi që fushata do të zhvillohet duke i respektuar në maksimum masat mbrojtëse ndaj aktivistëve dhe votuesve. Ai pret që edhe përfaqësimi në mediat lokale të jetë shumë më i madh.

Në Novi Pazar, pa tubime

Edhe partitë boshnjake me seli në Novi Pazar, në jugperëndim të Serbisë, e kanë përshtatur fushatën parazgjedhore me kushtet që imponon epidemia. Ato janë fokusuar në rrjetet sociale, përmes të cilave komunikojnë me anëtarët dhe simpatizuesit e vet.

Husein Memiq, nënkryetar i Partisë Demokratike të Sanxhakut, themelues i së cilës është ministri aktual i Tregtisë në Qeverinë e Serbisë, Rasim Ljajiq, thotë për Radion Evropa e Lirë që sivjet nuk do të ketë fushatë transparente dhe agresive sikurse në zgjedhjet e mëparshme.

“Do të jetë kjo një fushatë e qetë, pa tubime të mëdha dhe masovike, sepse duhet q të respektojmë masat e Qeverisë së Serbisë”, tha Memiq, duke shtuar që fushatën do ta bëjnë përmes emetimit të klipeve të shkurtra për sukseset në 10 vjetët e kaluar, në arsim, kulturë dhe fusha tjera.

Enis Imamoviq, deputet nga partia e Aksionit Demokratik të Sanxhakut, lider i së cilës është Sulejman Ugljanin dhe i cili angazhohet për autonomi të Sanxhakut, thotë që kjo parti, të gjitha aktivitetet parazgjedhore ia ka përshtatur kushteve të reja.

“Po përshtatemi me rrethanat aktuale, të cilat janë të njëjta për të gjithë. Më tepër po e përdorim internetin, ndërkaq që tubimet i organizojmë sipas rekomandimeve të shtabit të krizës dhe epidemiologëve”, tha Imamoviq.

Fushata, ‘sipas masës së Partisë Progresiste Serbe'

Sasha Mileniq, profesor i filozofisë nga Kragujevci, shpreh mendimin që nuk duhet pritur ndonjë ndryshim të rëndësishëm në politikat editoriale të mediave që janë nën kontrollin e pushtetit dhe të ketë favorizim parazgjedhor ndaj organizatave politike opozitare. Sipas tij, partitë opozitare, pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale, krahinore dhe parlamentare, do të jenë të margjinalizuara dhe të satanizuara, pa u dhënë mundësia që të përgjigjen ndaj akuzave.

“Atmosfera pluraliste në mediat nacionale, rajonale dhe lokale është zhdukur plotësisht, sepse të gjitha organizatave politike, përveç partisë në pushtet, u është pamundësuar qasja në media. Nuk ka asnjë dyshim që me deficitin e parave dhe me deficitin e pranisë në media, shtabet zgjedhore të partive opozitare do të kenë shumë më pak mundësi sesa Partia Progresiste Serbe që të zhvillojnë fushatë serioze. Nisur nga kjo, ajo është në përparësi të pakrahasueshme që në fillim”, tha Mileniq.

Ai shtoi që fushata zgjedhore e organizuar në këto rrethana do të ndikojë ndjeshëm në rezultatin zgjedhor në favor të subjektit politik që është në pushtet, Partisë Progresiste Serbe.

Nga realiteti virtual deri te hologramët

Eksperimentimi në fushata online nuk është diçka e re, ndonëse politikanët edhe më tej anojnë kah format tradicionale të kontaktit me votuesit.

Para 13 vjetësh, në Gingrich, kryesues i dikurshëm i Kongresit, e bëri të famshme politikën e tij konservative duke u paraqitur në platformat e realitetit virtual ‘Jeta e dytë’ (Second Life).

Ngjashëm me ngjarjen e Vuçiqit, ka ndodhur edhe gjatë zgjedhjeve në Francë në vitin 2017, kur kandidati Jean-Luc Melenchon ka përdorur hologramin që të paraqitej në shtatë qytete të vendit në të njëjtën kohë.


MË SHUME NGA Rajoni