Filipçe: Vetëm së bashku mund ta tejkalojmë këtë gjendje
Sharr Travel

Filipçe: Vetëm së bashku mund ta tejkalojmë këtë gjendje

Jemi përpara dy zgjedhjeve – të mësohemi pa kushte t’i respektojmë masat për mbrojtje të shëndetit, të cilat janë parakusht për normalizim të gjendjes, ose me mosrespektim të masave ta rrezikojmë sërish kthimin drejt restriksioneve dhe masave të ashpra, kumtoi në Fejsbuk ministri i Shëndetësisë , Venko Filipçe.

“Vetëm së bashku mund ta tejkalojmë këtë gjendje. Besoj se nga kjo krizë do të dalim shumë më të fuqishëm dhe më të mençur dhe do të kuptojmë se sa janë të rëndësishëm solidariteti qytetar, mbështetja e institucioneve dhe ndihma e ndërsjelltë”, shton Filipçe në kumtesë, të shoqëruar me video porosi.

Siç kumtoi Ministria e Shëndetësisë, Filipçe vlerësoi se fillon të kthehet jeta në normalitet dhe fillojnë të hapen bizneset, po kthehet lëvizja e lirë, ndërkaq së shpejti do të hapen edhe kufijtë.

“Po hapemi, siç këtë po e bëjnë të gjitha vendet rreth nesh dhe në botë. Tani jemi përpara dy zgjedhjeve. Të mësohemi pa kushte t’i respektojmë masat për mbrojtje të shëndetit, të cilat janë parakusht për normalizim të gjendjes apo me mosrespektim të masave të rrezikojmë sërish kthimin prapa drejt restriksioneve dhe masave të ashpra”, deklaroi Filipçe.

Ai potencoi se analizat e epidemiologëve konstatuan se gjendja është stabile, ndërsa strategjia e deritanishme dha rezultat.

“E mbrojtëm sistemin shëndetësor dhe e mbajtëm epideminë nën kontroll. Ky ishte parakusht për t’i lehtësuar masat restriktive. Por, masat për mbrojtje personale mbeten të vlejnë dhe duhet plotësisht të respektohen. Mbajtja e domosdoshme e maskës apo mbulimi i gojës dhe hundës, mbajtja e distancës fizike, higjiena e rregullt dhe dezinfektimi i duarve janë masa të cilat mbeten pjesë e përditshmërisë sonë. Me këto masa ne vazhdojmë më tutje dhe me to do të mbrohemi”, theksoi ministri Filipçe.

Filipçe theksoi se virusi nuk do të largohet dhe me të do të duhet të mësohemi të jetojmë dhe atë për një periudhë më të gjatë kohore. Kjo do të thotë, nënvizoi, se përgjegjësia e qytetarëve tani është akoma më e madhe.

“Është e palejueshme ata të cilët i respektojnë masat të jenë në rrezik nga ata të cilët nuk e bëjnë këtë. U bëj thirrje edhe institucioneve kompetente, të gjitha shkeljet të cilat e rrezikojnë shëndetin publik, duhet të sanksionohen. Dëshiroj të gjithë ta kenë të qartë, me mbrojtje të shëndetit të vet, i mbroni të gjithë rreth jush, shpëtoni jetë të familjarëve tuaj, të bashkëqytetarëve tuaj dhe u ndihmoni punonjësve shëndetësorë. Kjo është beteja jonë e përbashkët. Vetëm së bashku  mund ta tejkalojmë këtë situatë. Besoj se nga kjo krizë do të dalim shumë më të fuqishëm dhe më të mençur dhe do të kuptojmë se sa janë të rëndësishme solidariteti qytetar, mbështetja e institucioneve dhe ndihma e ndërsjelltë”, theksoi Filipçe.