Apeli ia shtyn Ademit për tre muaj vuajtjen e dënimit
BKT
Sport

Apeli ia shtyn Ademit për tre muaj vuajtjen e dënimit

Gjykata e Apelit e ka aprovuar kërkesën e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademit, për t’ia shtyrë datën kur duhet ta nisë vuajtjen e dënimit prej nëntë muajve burgim, shkaku i gjendjes së tij shëndetësore.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës ishte dënuar më parë me nëntë muaj burgim për një çështje jashtë futbollit, të ndodhur në vitin 2012. Ai fillimisht ishte ankuar në Gjykatën e Apelit, por kjo e fundit e përkrahi vendimin fillestar, që çoi deri te ankesa e Ademit te Gjykata Supreme, transmeton Express.

Javën e kaluar u bë e ditur se Ademi ishte urdhëruar nga Gjykata Themelore e Prishtinës që të paraqitet në Shërbimin Korrektues në Prishtinë më së largu deri më 18 qershor. Megjithatë, Ademi vendosi të kërkojë për shtyrjen e ekzekutimit të këtij dënimi, kërkesë kjo që iu miratua.

“Gjykata e Apelit, pas vlerësimit të pretendimeve ankimore si dhe të gjithë dokumentacionit mjekësor të paraqitur nga i dënuari, gjeti se ai është pranuar në ekzaminim në një Klinikë Emergjente, për shkak të gjendjes  jo të mirë shëndetësore, si dhe atij i është rekomanduar të pushojë, e pastaj të vazhdojë trajtimin e mëtejmë në institucionin në të cilin paraprakisht është trajtuar dhe ka historinë personale për sëmundjen”, thuhet në njoftimin e Gjykatës”.

“Më këtë Gjykata konsideron se i dënuari ka nevojë për kujdes të shtuar shëndetësor, duke e plotësuar kështu kushtin për shtyrje të ekzekutimit të dënimit konform nenit 20 par.1 pika 1.1 të LESP-së, i cili nen përcakton se “ekzekutimi i dënimit me burgim mund të shtyhet me lutje të personit të dënuar, deri në shërimin e sëmundjes, nëse personi i dënuar vuan nga një sëmundje e rëndë akute””.

“Kjo edhe për faktin se siç është e ditur, Kosova tash e sa kohë po përballët me pandeminë Covid 19,  pandemi kjo e cila sipas eksperteve shëndetësor, në masë të madhe atakon ata që kanë sëmundje tjera përcjellëse”.

“Prandaj Gjykata e Apelit, konsideron së dërgimi i tij, në vuajtje të dënimit, në këto kushte dhe rrethana, do të paraqiste rrezik për shëndetin e të dënuarit, si pasoj e pamundësisë për trajtimit adekuat shëndetësor dhe rrezikut për infektim nga personat e tjerë, më çka do të cenoheshin ndjeshëm të drejtat e tij, të proklamuara me ligj”.

Ademi është gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 9 (nëntë) muajve, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 12.09.2012 deri më datë 02.11.2012.