Maqedoni Veriore: Shkarkohet drejtori i QSHP-së, Arben Ziberi
MSH-ja në Maqedoninë Veriore, përmes një komunikate ka njoftuar se është shkarkuar u.d Drejtori i QSHP-së, Arben Ziberi.
Siç thuhet në komunikatë, Arben Ziberi është shkarkuar për shkak të deklaratave jo të sakta në opinion, me çka, në mënyrë të drejtpërdrejtë, ka dëmtuar dinjitetin e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, siç thuhet, duke e vënë në pikëpyetje kredibilitetin e institucioneve shëndetësore në luftën kundër koronavirusit.
Ndërkaq, Bashkimi Demokratik për Integrim e ka cilësuar shkarkimin e Drejtorit Arben Ziberi, që është nga radhët e saj, si të motivuar politikisht, për shkak të kandidatit shqiptar për Kryeministër.
“Kandidimi i Naser Zyberit për kryeministër të parë shqiptar ka errësuar sytë dhe mendjet e oponentëve politikë, të cilët nuk po zgjedhin mjete për të luftuar një shqiptar në krye të institucioneve dhe në krye të qeverisë, edhe me cmimin e rrezikimit të shëndetit publik të qytetarëve”,thonë nga BDI, njofton KlanMacedonia
Ministria e Shëndetësisë, sic thuhet në komunikatë, ka njoftuar se Dr. Aleksandar Stojanov është emëruar ushtrues detyre, Drejtor I Qendrës për Shëndet Publik.























