Prishtina-Drita, në Fadil Vokrri luhet dueli i titullit
IPKO Superliga e Kosovës po shkon drejt verdikteve finale.
Java e 29-të i ka lënë shumë shpejt vendin raundit të 30-të i cili do të vijë këtë të dielë me dy sfida shumë interesante.
Spikat mbi të gjitha duel i Fadil Vokrrit, aty ku Prishtina pret Dritën kryesuese që me një fitore sot mund të vrasë përfundimisht garën për titull. 7 pikë është diferenca në renditje mes dy skuadrave, me kryeqytetasit që duhet të fitojnë me çdo kusht për të shpresuar ende te titulli por edhe te pozicionimi në 3 vendet e para të kampionatit, pasi aktualisht Prishtina është e 4-ta në renditje.
Situata në kampin e Armend Dallkut nuk është pozitive sidomos pas ndodhive në sfidën e fundit ndaj Gjilanit, ndërkohë që Drita është në superformë dhe vjen në këtë ndeshje pas 8 fitoreve rresht dhe është në kërkim të mrekullisë së 9-të. Dueli mes Prishtinës dhe Dritës do të startojë në orën 18:00, transmeton SS.
Në orën 17:00 vjen edhe sfida tjetër mes Gjilanit dhe Drenicës. Vendasit kënaqen vetëm me fitoren në këtë ndeshje ndërsa miqve nga Skënderaj të cilët luftojnë për mbijetesë do t’u mjaftonte edhe një barazim.























