BDI: Keqardhje për komentet e Zaevit, urojmë sukses për LSDM-në
Sharr Travel

BDI: Keqardhje për komentet e Zaevit, urojmë sukses për LSDM-në

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh keqardhje për komentet e sotme të drejtuesit të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë dhe partner aktual i koalicionit qeverisës, z. Zoran Zaev.

Bashkimi Demokratik për Integrim nuk pendohet për koalicionin me LSDM-në
në vitin 2016, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, në referendumin e vitit 2018, por edhe në zgjedhjet presidenciale të vitit 2019.

"Përkundrazi, konsiderojmë që bashkëpunimi jonë ia ndryshoi vendit emrin, e ndryshoi kushtetutën, përmbylli marrëveshjet me Greqinë dhe Bulgarinë si dhe pjesën normative të marrëveshjes paqësore të Ohrit bashkë me reformat në sistemin e sigurisë, administratë dhe në gjyqësor, andaj dhe ne nuk pendohemi që lidhëm koalicion në vitin 2016 me partinë humbëse në rrethana shumë specifike, thuhet në reagimin e BDI-së.

Tutje kjo parti thotë se "Bashkëpunimi jonë në zgjedhjet lokale solli fitore bindëse për LSDM-në dhe në Shkup, Kumanovë, Veles, Manastir, Ohër dhe shumë komuna të tjera dhe ne nuk pendohemi që e kemi ndihmuar Lidhjen Social Demokrate".

"Gjithashtu nuk pendohemi edhe që bashkarisht bëmë fushatë për referendum
për ndryshim të emrit, e aq më shumë që nuk lejuam mbajtjen e zgjedhjeve
të parakohëshme pas referendumit, por insistuam në gjetjen e minimum 8
deputetëve për ndryshim të kushtetutës dhe këtë e bëmë".

Ndërsa, sipas BDI-së zgjedhjet e fundit presidenciale ishin ngadhnjim i konceptit të konsensualitetit sepse "u dëshmua që kandidati partiak për president nuk fiton dot, ndërsa kur është konsensual, ai ose ajo
ngadhnjen".

Bashkimi Demokratik për Integrim uron sukses për Lidhjen Sociale Demokrate të Maqedonisë në këto zgjedhje dhe shpreson që bashkëpunimi i tyre i suksesshëm të vijojjë edhe pas zgjedhjeve të 15 korrikut.